30 Kor Shkelja e së drejtës së lirisë së shprehjes në një rast që lidhet me një fushatë zgjedhore
Në rastin Brzeziński kundër Polonisë (kërkesa nr. 47542/07, 25/07/2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me një pretendim se ishte shkelur liria e shprehjes së kërkuesit për shkak të komenteve që ai i kishte bërë në një broshurë të fushatës zgjedhore.
Kërkuesi, z. Zenon Brzeziński, është shtetas polak. Në tetor 2006, gjatë një fushate zgjedhore për zgjedhjet komunale, të qarkut, dhe rajonale, z. Brzeziński, i cili po kandidonte për postin e asambleistit, dhe personi me inicialet AB botuan një broshurë, në të cilën ata i bënë thirrje publikut të votojë për anëtarët e grupit të tyre dhe kritikuan mënyrën e drejtimit të komunës. Këto kritika kishin të bënin kryesisht me kryetarin e komunës dhe anëtarët e kuvendit komunal. Kryetari i komunës dhe një asambleist, të cilët ishin në shënjestër të broshurës, e paditën z. Brzeziński dhe AB, duke kërkuar urdhër për të parandaluar shpërndarjen e broshurës dhe duke i detyruar autorët e saj të korrigjojnë informacionin e pasaktë, dhe të kërkojnë falje publike. Gjykata urdhëroi që kërkuesi të kërkonte falje dhe të korrigjonte informacionet e pasakta në broshurë. Gjykata gjithashtu e urdhëroi t’i paguante 5,000 zlotys polakë (PLN) një organizate bamirësie dhe 360 PLN të kostove të paditësit. Gjykata vuri në dukje se z. Brzeziński kishte lënë të kuptohet se ishte bërë mashtrim në dhënien e granteve publike, megjithëse sipas gjetjeve të gjykatës, këto fakte nuk ishin vërtetuar.
Gjykata vendosi se nuk kishte dyshim se deklaratat kundërthënëse ishin bërë në kontekstin e një debati mbi çështjet që ishin të rëndësishme për komunitetin lokal. Por, Gjykata nuk mund të miratonte konstatimin e gjykatave vendore se z. Brzeziński në rastin konkret duhej të vërtetonte saktësinë e deklaratave të tij. Gjykata vlerësoi që gjuha e përdorur në broshurë kishte mbetur brenda kufijve të ekzagjerimit ose provokimit të pranueshëm, duke pasur parasysh tonin e zakonshëm dhe regjistrin e debatit politik në nivelin lokal.
Për më tepër, përveç ndalimit të botimit të broshurës, kërkuesit i ishte urdhëruar të kërkonte falje dhe të korrigjonte komentet që ishin konsideruar si të pasakta, duke botuar një deklaratë në faqen e parë të dy gazetave lokale. Ai gjithashtu ishte urdhëruar të paguante një shumë parash për një organizatë bamirëse. Si rrjedhojë, Gjykata konsideroi se kërkuesi i ishte nënshtruar një ndëshkimi që mund të kishte efekt frenues, edhe pse ai po merrte pjesë në një debat politik.
Gjykata arriti në përfundim se vendimet kundër kërkuesit ishin ndërhyrje joproporcionale në të drejtën e tij për lirinë e shprehjes dhe nuk ishin të nevojshme në një shoqëri demokratike. Kështu konstatoi se kishte shkelje të Nenit 10.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut