Vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për largimin e kishës ortodokse të ndërtuar në parcelë private

Në rastin Orlović dhe të tjerët kundër Bosnjës dhe Hercegovinës (kërkesa nr. 16332/18. 01.10.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 1 të Protokollit Nr. 1 (mbrojtja e pronës) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me një kishë të ndërtuar nga Famullia Ortodokse Serbe në tokën e kërkuesve pasi ata ishin larguar nga prona e tyre gjatë luftës së viteve 1992-1995. 

Kërkuesit janë familje prej 14 shtetasve të Bosnjes dhe Hercegovinës. Gjatë luftës së viteve 1992-1995 ata ishin detyruar të largoheshin nga shtëpia e tyre në Konjević Polje. Prona i takonte bashkëshortit të kërkueses së parë dhe vëllait të tij dhe përbëhej nga një varg objektesh individuale dhe bujqësore, arash dhe livadhesh. Në vitin 1998 në tokën e tyre u ndërtua një kishë pas procedurave të shpronësimit në favor të Famullisë Ortodokse Serbe Drinjača. Kërkuesit asnjëherë nuk ishin njoftuar për këto procedura.

Kërkuesit nisin procedurën për kthimin e pronës së tyre. Atyre iu dha ky kthim me një vendim të Komisionit për Kërkesat e Patundshmërive të Personave të Zhvendosur dhe Refugjatëve në vitin 1999, që u ndoq nga një vendim tjetër i Ministrisë për Refugjatë dhe Persona të Zhvendosur në vitin 2001. Vendimet ishin përfundimtare dhe të ekzekutueshme. Toka më vonë iu kthye kërkuesve, përveç parcelës mbi të cilën ishte ndërtuar kisha. Kërkuesit kërkuan kthim të tërësishëm në vitet në vazhdim, por pa sukses.

Gjykata gjeti në veçanti se dështimi i autoriteteve për t’i respektuar vendimet përfundimtare dhe detyruese të vitit 1999 dhe 2001 që urdhëronin kthim të tërësishëm të tokës, pa ndonjë arsyetim nga ana e Qeverisë për një mosveprim të tillë, i kishte cënuar rëndë të drejtat e tyre pronësore. 

Gjykata gjithashtu vendosi, me gjashtë vota pro dhe një kundër, në bazë të Nenit 46 (forca detyruese dhe zbatimi) që Shteti i paditur duhej të siguronte zbatimin e dy vendimeve në favor të kërkuesve, duke përfshirë në veçanti largimin e kishës nga toka e kërkuesve, më së voni brenda tre muajve nga momenti që ky verdikt bëhet i formës së prerë. Për më tepër, Gjykata vendosi, njëzëri, se Bosnja dhe Hercegovina do t’i paguante 5,000 euro (EUR) kërkuesit të parë dhe nga 2,000 EUR secilit nga kërkuesit e tjerë në lidhje me dëmin financiar dhe se që nga skadimi i tre muajve të lartpërmendur deri në shlyerje interesi i thjeshtë do të jetë i pagueshëm në shumat e mësipërme me një normë të barabartë me normën margjinale të huadhënies së Bankës Qendrore Europiane gjatë periudhës së paracaktuar, plus tre pikë përqindje.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut