Sistemi i arsimit të detyrueshëm fetar nuk është në përputhje me Konventën

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1 (e drejta për arsim) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të interpretuar në dritë të Nenit 9 (liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë), në rastin Papageorgiou dhe të Tjerët kundër Greqisë (kërkesat nr. 4762/18 dhe 6140/18, 31.10.2019)

Rasti kishte të bënte me arsimin e detyrueshëm fetar në shkollat greke. 

Kërkuesit janë pesë shtetas grekë, prindër dhe fëmijë, të cilët jetojnë në ishujt e vegjël grekë Milos dhe Sifnos. Sipas Kushtetutës greke dhe teksteve të tjera legjislative, siç është Ligji për Arsimin dhe vendimet e ndryshme ministrore, arsimi fetar është i detyrueshëm për të gjithë nxënësit e shkollave në nivelin fillor dhe të mesëm.

Në korrik 2017 kërkuesit i kërkuan Gjykatës Supreme Administrative të anulojë dy vendime të fundit ministrore për nisjen e programit të arsimit fetar për vitin shkollor 2017/18. Kërkuesit kërkuan që çështja e tyre të shqyrtohej në procedurë urgjente përpara fillimit të vitit të ri shkollor, por Gjykata Supreme Administrative hodhi poshtë kërkesat e tyre për mungesë të rëndësisë. 

Gjykata theksoi se autoritetet nuk kishin të drejtë të detyrojnë individët t’i zbulojnë bindjet e tyre. Megjithatë, sistemi aktual në Greqi për përjashtimin e fëmijëve nga klasa e arsimit fetar kërkonte që prindërit të paraqisnin një deklaratë solemne duke thënë se fëmijët e tyre nuk ishin të krishterë ortodoksë. Kjo kërkesë u vinte barrë të padrejtë prindërve për të zbuluar informacione nga të cilat mund të nxirrej në pah se ata dhe fëmijët e tyre kishin, ose nuk kishin një besim specifik fetar. Për më tepër, një sistem i tillë madje mund të pengojë prindërit që të bëjnë një kërkesë për përjashtim, veçanërisht në një rast të tillë si ky i kërkuesve, të cilët jetonin në ishuj të vegjël ku shumica e popullsisë i i përket një feje të veçantë dhe rreziku i stigmatizimit ishte shumë më e lartë. 

Duke theksuar se autoritetet nuk kishin të drejtë të ndërhyjnë në sferën e ndërgjegjes individuale, të konstatojnë besimin fetar të individëve ose t’i detyrojnë ata të zbulojnë bindjet e tyre, Gjykata vlerësoi se kishte pasur shkelje të Nenit 2 të Protokollit Nr. 1, siç interpretohet në dritën e Nenit 9 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut