Është shkelur liria e shprehjes së punëtorëve

Në rastin Herbai kundër Hungarisë (kërkesa nr. 11608/15) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Kërkuesi, Csaba Herbai, është shtetas hungarez që jeton në Budapest. Kërkuesi po punonte në departamentin e burimeve njerëzore të një banke, O., dhe gjithashtu po kontribuonte në një faqe në internet e cila publikonte artikuj të përgjithshëm në lidhje me praktikën e burimeve njerëzore, ku kërkuesi kishte shprehur mendimet e tij profesional si ekspert i burimeve njerëzore. Artikujt nuk zbulonin informacione konfidenciale ose personale të bankës O., pasi që kërkuesi, si ekspert, kishte shprehur vetëm mospajtimet e tij me praktikën e burimeve njerëzore të bankës. Banka e përjashtoi nga puna kërkuesin me arsyetimin se artikujt e tij në internet kishin shkelur standardet e saj të konfidencialitetit dhe kishin cënuar interesat e saj financiare. Banka gjithashtu thoshte se pozita e tij në bankë nënkuptonte se ai kishte qasje ndaj informacioneve të cilat mund të cënonin interesat e biznesit të bankës nëse bëheshin publike. Z. Herbai iu drejtua gjykatës për shkarkimin e tij, me të cilin Kúria përfundimisht vendosi çështjen në favor të bankës, duke konsideruar se sjellja e tij mund të kishte paraqitur rrezik për interesat e biznesit të punëdhënësit të tij.

Gjykata shqyrtoi katër elemente në fushën e lejueshme të kufizimit të së drejtës së lirisë së fjalës në marrëdhënien e punës në fjalë: natyrën e fjalës; motivet e autorit; çfarëdo dëmi i shkaktuar; dhe ashpërsia e ndëshkimit. 

Së pari, Gjykata nuk u pajtua me konstatimin e Gjykatës Kushtetuese se lloji i shprehjes në fjalë që i drejtohej një audience profesionale, nuk ishte lloji që mund të mbrohej pasi nuk kishte karakteristikat e të qenët pjesë e një diskutimi për çështje të interes publik. 

Së dyti, ndërsa komentet e motivuara nga ankesa personale ose nga antagonizmi nuk mund të gëzonin nivel të fortë mbrojtjeje, ajo konstatoi se gjykatat vendore nuk kishin parë motive të tilla në veprimet e kërkuesit.

Sa i përket çështjes së tretë, Gjykata vuri në dukje se gjykatat vendore ishin përqendruar në çështjen e dëmtimit të mundshëm të interesave legjitime të biznesit të bankës dhe në mundësinë e aplikantit të shpërndante informacione konfidenciale të biznesit. Por, edhe duke pasur parasysh një nivel të caktuar të mbrojtjes sipas ligjit vendor për punëdhënësit për të përcaktuar se cila sjellje mund të cënonin marrëdhëniet e punës pa u manifestuar qartë këto cënime, as banka dhe as Kúria nuk kishin bërë asnjë përpjekje për të treguar se si shorehja në fjalë mund të kishte ndikuar negativisht te banka. 

Sa i përket çështjes së fundit, ishte e qartë se kërkuesi kishte pësuar një dënim të rëndë pasi kishte humbur punën e tij pa ndonjë vlerësim të ndonjë mase më pak të rëndë.

Andaj, ka pasur shkelje të Nenit 10 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut