Neni 8 nuk garanton të drejtën për t’u bërë gjysh

Në rastin Petithory Lanzmann kundër Francës (kërkesa nr. 23038/19) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka shpallur njëzëri kërkesën si të papranueshme. Rasti kishte të bënte me kërkesën e kërkueses për të transferuar spermën e djalit të saj në një establishment që mund të rregullojë riprodhimin e asistuar ose surrogatimin gestacional. 

Djali i kërkueses vdiq në 13 janar 2017 si rezultat i një tumori që u diagnostikua në vitin 2014. Sapo u informua për sëmundjen e tij, djali i saj kishte shprehur dëshirën për të qenë baba dhe të kishte pasardhës, edhe në rast të vdekjes së tij. Si pasojë, ai kishte depozituar spermën në Qendrën d’études et de conservation des oeufs et du sperme (CECOS) në Spitalin Cochin në Paris, kishte kontaktuar një qendër në Zvicër dhe po merrte në konsideratë opsione të tjera për spermën bankare jashtë vendit, por kishte qenë në pamundësi për të vazhduar për shkak të sëmundjes së tij. Në pranverën e vitit 2017 presidenti i CECOS-it refuzoi të përcjellë në Agjencinë e Biomjekësisë kërkesën e kërkueses për transferimin e spermës së djalit të saj në një institucion shëndetësor në Izrael.

Duke u mbështetur në Nenin 8 (e drejta për të respektuar jetën private dhe familjare), kërkuesja u ankua se ishte e pamundur të kishte qasje në spermën e djalit të saj të ndjerë me qëllim që të aranzhonte, në përputhje me dëshirat e tij të fundit, riprodhimin e asistuar përmes një dhurate për një çift jopjellor ose një zëvendësim gestacional, procedurat të cilat do të autorizoheshin në Izrael ose në Shtetet e Bashkuara.

Gjykata vërejti se ankesa e kërkueses në të vërtetë përbëhej prej dy pjesëve të veçanta. Në pjesën e parë ajo pretendonte se ishte viktimë indirekte, në emër të djalit të saj të ndjerë, ndërsa në të dytën ajo pretendonte se ishte viktimë direkte pasi ishte privuar nga mundësia për t’u bërë gjyshe. Sa i përket ankesës që pretendonte statusin e viktimës indirekte, Gjykata vuri në dukje se të drejtat e pretenduara nga kërkuesja kishin të bënin me të drejtën e djalit të saj të vendoste se si dhe kur të bëhet prind. Por, Gjykata vërejti se kjo e drejtë i përkiste kategorisë së të drejtave të patransferueshme. Kësisoji, kërkuesja nuk mund të pretendonte në këtë drejtim se ishte viktimë e një shkeljeje të Konventës në emër të djalit të saj. Sa i përket ankesës që pretendonte statusin e viktimës direkte, Gjykata konsideroi se Neni 8 nuk garantonte të drejtën për t’u bërë gjyshe, sado e denjë aspirata personale e kërkueses për të vazhduar linjën gjenetike. Andaj, Gjykata i shpalli të papranueshme të dy pjesët e kërkesës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut