10 Qer Statusi i personave pa shtetësi nuk ishte i rregulluar në përputhje me Konventën
Në rastin Sudita Keita kundër Hungarisë (kërkesa nr. 42321/15, 12.05.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkuesi, Michael Sudita Keita, është person pa shtetësi (me origjinë somaleze dhe nigeriane) i cili ka lindur në vitin 1985 dhe jeton në Budapest.
Rasti kishte të bënte me vështirësitë në rregullimin e situatës së tij juridike në Hungari për një periudhë 15-vjeçare. Z. Sudita Keita arriti në Hungari në vitin 2002, duke paraqitur një kërkesë për njohje si refugjat. Autoritetet e imigracionit e hodhën poshtë kërkesën të njëjtin vit. Ai ka vazhduar të jetojë në vend pa kurrfarë statusi juridik, përveç një periudhe nga 2006 deri në 2008 kur iu dha një leje qëndrimi humanitare si ekzil sepse nuk mund të kthehej në Somali ndërsa lufta civile po vazhdonte dhe ambasada e Nigerisë në Budapest kishte refuzuar ta njohë atë si qytetar të sajin.
Autoritetet rishikuan statusin e tij të ekzilit në vitin 2008 dhe urdhëruan dëbimin e tij në vitin 2009, por urdhri nuk u zbatua. Në fund, në vitin 2017, gjykatat hungareze e njohën atë si person pa shtetësi. Kërkesa e tij në fillim ishte refuzuar, sepse ai nuk e plotësonte kërkesën sipas ligjit përkatës të vendit për “qëndrim të ligjshëm në vend”. Megjithatë, kjo kërkesë u gjet jokushtetuese në vitin 2015.
Duke u mbështetur veçanërisht në Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, z. Sudita Keita u ankua për hezitonin e zgjatur të autoriteteve për të rregulluar situatën e tij, duke pretenduar se kjo kishte pasur pasoja negative në qasjen e tij në kujdesin shëndetësor dhe punësimin dhe të drejtën e tij për t’u martuar.
Gjykata e konsideroi të rëndësishme të theksojë disa aspekte të procedurave që lidhen me statusin e kërkuesit në Hungari. Ajo nuk mund të pajtohet me argumentet e qeverisë që sillen nga konsiderata se Neni 8 i Konventës nuk mund të interpretohet si kërkesë e shtetit për t’i dhënë një personi status pa shtetësi. Ankesa e kërkuesit nuk ka të bëjë me pamundësinë që ai të marrë statusin e pashtetësisë si i tillë, por me pamundësinë e përgjithshme të rregullimit të statusit të tij në Hungari për një periudhë pesëmbëdhjetëvjeçare.
Në këtë pikë, Gjykata vuri në dukje se kërkuesi – pas vendimit të 29 nëntorit 2002 mbi refuzimin e njohjes së statusit të refugjatit – ka jetuar në mënyrë efektive në Hungari pa asnjë status juridik ndërsa ishte privuar nga të drejtat themelore për kujdes shëndetësor dhe punësim.
Gjithashtu duhet theksuar se, deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e kërkesës së “qëndrimit të ligjshëm” nga ligji, ishte praktikisht e pamundur që kërkuesi të njihej si pa shtetësi pasi ai nuk e plotësonte atë kërkesë. Kështu, në realitet, në kundërshtim me parimet që rrjedhin nga Konventa e OKB-së e vitit 1954 në lidhje me statusin e personave pa shtetësi, nga kërkuesi, individ pa shtetësi, kërkohej të plotësonte kërkesat të cilat, për shkak të statusit të tij, ai nuk ishte në gjendje t’i plotësonte.
Gjykata gjithashtu vuri re se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 shkurtit 2017/18, gjykatave venore iu desh një kohë deri më 11 tetor 2017 që të merrnin një vendim të formës së prerë në çështjen e kërkuesit, duke i dhënë përfundimisht atij statusin pa shtetësi.
Duke marrë parasysh efektin e kombinuar të elementeve të mësipërme, Gjykata nuk bindet që, në rrethanat e veçanta të çështjes së kërkuesit, Shteti i paditur zbatoi detyrimin e tij pozitiv për të siguruar procedurë efektive dhe të arritshme ose një kombinim të procedurave që i mundësojnë kërkuesit të përcaktojë çështjen e statusit të tij në Hungari duke pasur parasysh interesat e jetës së tij private sipas Nenit 8 të Konventës. Andaj, ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut