Dënimi penal i një studenti për vërejtjet e tij në lidhje me Kryeministrin shkeli Konventën

Në rastin Ömür Çağdaş Ersoy kundër Turqisë (kërkesa nr. 19165/19, 15.06.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me dënimin penal të një studenti (z. Ersoy) të ODTÜ (Ortadoğu Teknik Üniversitesi) i cili u akuzua për fyerje të një zyrtari publik për shkak të funksioneve të tij. Autoritetet e kishin akuzuar z. Ersoy në bazë të deklaratave që ai kishte bërë në lidhje me Kryeministrin e atëhershëm (z. Recep Tayyip Erdoğan) në një fjalim të mbajtur para Gjykatave në Ankara më 22 dhjetor 2012, gjatë një tubimi në mbështetje të studentëve që ishin vendosur në paraburgim më 18 dhjetor 2012 në kampusin universitar ODTÜ sepse kishte protestuar kundër një vizite të Kryeministrit.

Gjykata vendosi se vërejtjet e z. Ersoy ishin të lidhura me një debat me interes publik në lidhje me ndërhyrjen e policisë në demonstratën e studentëve të 18 dhjetorit 2012 dhe qëndrimin dhe politikat e autoriteteve të shtetit dhe Kryeministrit në lidhje me studentët e ODTÜ-së. Komentet në fjalë kishin treguar një farë kundërshtimi dhe armiqësie kundër Kryeministrit, meqë ata dënonin qëndrimin e këtij të fundit ndaj institucionit ODTÜ dhe studentëve të tij, të cilin z. Ersoy e konsideroi të egër dhe të tepërt, dhe mënyrën e tij të qeverisjes, të përshkruar si diktaturë.

Gjykata përsëriti se kufijtë e kritikës së pranueshme ishin më të gjera në lidhje me një politikan, në atë cilësi, sesa në lidhje me një individ privat. Megjithatë, ajo vuri në dukje se gjatë dënimit të z. Ersoy, gjykatat vendore ishin mbështetur në një dispozitë të Kodit Penal që u jepte zyrtarëve të shtetit shkallë më të madhe të mbrojtjes sesa personave të tjerë në lidhje me zbulimin e informacionit ose mendimit në lidhje me ta. Në lidhje me këtë, Gjykata përsëriti konstatimin e saj të mëparshëm se sigurimi i mbrojtjes së shtuar me anë të një ligji të veçantë mbi fyerjet, si rregull, nuk përputhej me frymën e Konventës. Ajo gjithashtu theksoi se, ndërsa ishte krejtësisht e ligjshme që personat që përfaqësonin institucionet e shtetit, si garantues të rendit publik institucional, të mbroheshin nga autoritetet kompetente, pozicioni dominues i zënë nga ato institucione u kërkonte autoriteteve të tregonin përmbajtje në përdorimin e procedurave penale.

Si pasojë, autoritetet vendore nuk kishin kryer ushtrim të duhur balancues, në përputhje me parimet e përcaktuara në praktikën gjyqësore të Gjykatës, midis të drejtës së z. Ersoy për lirinë e shprehjes dhe të drejtës së palës kundërshtare për të respektuar jetën e tij private. Gjithsesi, nuk kishte pasur ndonjë raport të arsyeshëm të proporcionalitetit midis ndërhyrjes në të drejtën e z. Ersoy për lirinë e shprehjes dhe qëllimit legjitim të mbrojtjes së reputacionit të individit në fjalë.

Referencat nga faqja zyrtare e Këshillit të Europës