01 Nën Hedhja poshtë e një padie për vërtetimin e atësisë së paraqitur jashtë afatit nuk ka shkelur Konventën
Në rastin Lavanchy kundër Zvicrës (kërkesa nr. 69997/17, 19.10.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur me shumicë votas (pesë pro, dy kundër) se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për të respektuar jetën private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me refuzimin e gjykatave zvicrane për të lejuar një përjashtim nga afati kohor i përcaktuar nga ligji i brendshëm (një vit nga data e arritjes së moshës madhore) për ngritjen e një padie ndaj për të vendosur marrëdhënie ligjore prind-fëmijë, dhe si pasojë hedhjen poshtë të padisë së kërkueses që kërkonte të regjistronte në regjistrin e gjendjes civile lidhjen me babain e saj biologjik. Pas lindjes së kërkueses në vitin 1964, ajo u regjistrua në regjistrin e lindjeve si fëmijë me baba të panjohur dhe u vu nën kujdestarinë e autoritetit të kujdestarisë (Tuteur Général). Në moshën 25,vjeçare, kërkuesja vendosi të kërkonte të atin dhe e gjeti me sukses. Kërkuesja dhe babai i saj zhvilluan një marrëdhënie më të ngushtë. Por, ajo kurrë nuk i kërkoi G.Q. t’i nënshtrohej një testi të ADN-së ose të pranonte zyrtarisht atësinë, pasi kishte frikë të dëmtonte marrëdhënien e tyre. Pas vdekjes së babait të saj në 2013, kërkuesja mori njoftimin për t’u paraqitur në hapjen e testamentit të tij, kur mësoi se ajo nuk njihej ligjërisht si vajza e tij. Në vitin 2014 ajo nisi një proces civil për të krijuar marrëdhënie ligjore prind-fëmijë, duke kërkuar që G.Q. të njihet si babai i saj. Rezultatet e testit të ADN-së treguan se ai vërtet ishte babai i saj biologjik. Por, gjykatat zvicrane vunë re se gjatë jetës së tij G.Q. thjesht kishte pranuar atësinë në vitin 1995 për qëllime të mbajtjes së fëmijës pas një zgjidhjeje gjyqësore në procedurat e atësisë, sipas të cilave G.Q. ra dakord të paguante kompensimin e jetesës së kërkueses dhe se kërkuesja nuk kishte vepruar brenda periudhës njëvjeçare pasi kishte mbushur moshën madhore. (Neni 263 § 1 i Kodit Civil).
Kërkuesja u ankua për faktin se autoritetet zvicrane nuk e kishin pranuar ekzistencën e një “arsyeje të vlefshme” për mosrespektimin e afatit dhe pretendoi se kishte shkelje të së drejtës së saj për respektimin e jetën e saj private për këtë çështje.
Gjykata vuri në dukje se vendimet e gjykatave zvicrane ishin arsyetuar me kujdes, duke marrë parasysh praktikën gjyqësore të Gjykatës lidhur me këtë çështje. Në veçanti, gjykatat kishin identifikuar disa pika gjatë kohës së jetës së kërkueses kur ajo mund të kishte konsultuar detajet në lidhje me origjinën e saj në regjistrin e gjendjes civile dhe të kërkonte informacion në lidhje me hapat që duheshin ndërmarrë, edhe pas skadimit të afatit. Këto konsiderata i çuan gjykatat në përfundimin se nuk kishte asnjë justifikim për pasivitetin e kërkueses për një periudhë 31-vjeçare.
Andaj, Gjykata vlerësoi se vonesa nga ana e kërkueses në nisjen e procedurave për vendosen e marrëdhënies ligjore prind-fëmijë, siç është theksuar nga gjykatat vendore, nuk mund të konsiderohet si e justifikueshme për qëllimet e praktikës gjyqësore të Gjykatës. Andaj, gjykatat zvicrane nuk kishin dështuar në detyrimin e tyre për të vendosur një barazpeshë të drejtë midis interesave në fjalë.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut