Raporti i vlerësimit i raundit të tretë GRETA për Bosnjën dhe Hercegovinën

raportin e vlerësimit të raundit të tretë mbi zbatimin e Konventës së Këshillit të Europës për Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, të publikuar më 28.06.2022, Grupi i Ekspertëve për Veprimin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (GRETA) mirëpret kornizën e përmirësuar legjislative dhe politike kundër trafikimit me qenie njerëzore të Bosnjës dhe Hercegovinës. Dispozitat lidhur me kriminalizimin e trafikimit me qenie njerëzore në Kodin Penal të Republikës Srpska janë amandamentuar si dhe është futur dispozita e mosndëshkimit. Më tej, Këshilli i Ministrave miratoi Strategjinë për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore për periudhën 2020-2023 dhe një Plan Veprimi për Zbatimin e tij. Për më tepër, katër ekipet rajonale mbikqyrëse të ngarkuara me bashkërendimin e veprimtarive anti-trafik u ristrukturuan si dhe u themeluan 18 ekipe më të vogla bashkërendimi. Autoritetet kanë krijuar gjithashtu një portal statistikash rreth viktimave të trafikimit njerëzor. Megjithatë, GRETA bën thirrje për forcimin e implementimit, në veçanti lidhur me qasjen e viktimave në drejtësi dhe zgjidhje efektive.

Raporti, bazuar në një vizitën e GRETA-së në vend në shtator të vitit të kaluar dhe informatat e siguruara nga autoritetet dhe shoqëria civile, vë në dukje se shumica e 306 viktimave të mundshme të trafikimit njerëzor, të identifikuara në periudhën 2017-2021, ishin fëmijë të shfrytëzuar për lëmoshë. GRETA u kërkon autoriteteve të forcojnë ndalimin e trafikimit të fëmijëve, duke përfshirë dhënien e mbështetjes financiare të duhur qendrave të kujdesit ditor për fëmijët e pastrehë.

GRETA thekson se sapo të identifikohet një viktimë e mundshme e trafikimit, autoritetet duhet t’i japin atij personi ndihmë ligjore dhe udhëzime rreth të drejtës për përfaqësim ligjor. Për më tepër, GRETA konsideron se viktimat duhet të kenë qasje efektive në tregun e punës dhe të pajisen me trajnim profesional dhe gjetje të vendeve të punës për të rritur përfshirjen e tyre sociale dhe ekonomike.

Mundësia e kompensimit mbetet e paktë dhe GRETA u bën thirrje autoriteteve të sigurojnë që viktimat e trafikimit të marrin vendim mbi kompensimin nga shkelësi si pjesë e gjyqit penal si dhe të krijojnë një skemë shtetërore kompensimi.

GRETA përshëndet miratimin e dispozitave të posaçme ligjore mbi mosndëshkimin e viktimave të trafikimit njerëzor në të gjitha juridiksionet për shkeljet e kryera si rezultat i trafikimit, por vë në dukje nevojën për të hartuar udhëzime dhe për të ofruar trainim për zyrtarët e policisë dhe prokurorët për zbatimin e këtyre dispozitave.

Numri i ndjekjeve penale dhe dënimeve të trafikimit njerëzor mbetet i ulët, ku kryesit përgjithësisht marrin dënime nën minimumin e përcaktuar me ligj. Sipas grupit të ekspertëve anti-trafik të Këshillit të Europës, kjo kërkon forcimin e reagimit të drejtësisë penale për të siguruar ndëshkime efektive, proporcionale dhe bindëse.

Autoritetet gjithashtu duhet t’u sigurojnë inspektorateve të punës staf dhe burime të mjaftueshme, që ato të mund të luajnë rol efikas në parandalimin e vijës së parë të trafikimit për ekploatimin e punës dhe identifikimin e viktimave.

Raportin vlerësues të raundit të tretë për Bosnjën dhe Hercegovinën mund ta gjeni këtu: https://rm.coe.int/greta-evaluation-report-bosnia-and-herzegovina-3rd-evaluation-round/1680a70b3b

Referencë Referencat nga faqja zyrtare e Këshillit të Europës