Ankesa kushtetuese në Kroaci mjet efektiv për ankesat në lidhje me hetimet joefektive sipas Nenit 2 (e drejta e jetës) dhe Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës

Në rastin Kušić dhe të tjerët kundër Kroacisë (kërkesa nr. 71667/17, 16.01.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka shpallur njëzëri kërkesën si të papranueshme. 

Kërkuesit, Zdravka Kušić, Bojan Kušić dhe Martina Kuinaiš, janë shtetas serbë që kanë lindur më 1958, 1987, dhe 1990 dhe jetojnë në Kragujevac (Serbi). Të afërmit e kërkuesve, N.K. dhe P.K. ishin gjetur të vrarë me armë zjarri skaj një rruge në Petrovo Polje (Kroaci) më 6 tetor 1992.

Në kërkesën e tyre në Gjykatën Europiane, familja Kušić thoshte se hetimi për vdekjen e anëtarëve të familjes së tyre kishte qenë joefektiv pasi hetimi vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe se mjeti vendor i sugjeruar nga Qeveria për ankesën e tyre, ankesa kushtetuese, nuk ishte efektiv pasi Gjykata Kushtetuese zakonisht hedh poshtë ankesat e tilla si të pabazuara.

Çështja kryesore që Gjykata duhej të shqyrtonte ishte nëse, siç argumentohet nga Qeveria, ankesa kushtetuese ishte mjet i brendshëm efektiv për ankesat në lidhje me hetimet joefektive dhe nëse kërkuesit duhet të kishin paraqitur një ankesë të tillë para se të paraqisnin kërkesën e tyre përpara Gjykatës. Kërkuesit pretendonin se Gjykata Kushtetuese zakonisht hidhte poshtë ankesat e tilla si të pabazuara, duke u mbështetur në pesë vendimet nga viti 2012 deri në vitin 2016 lidhur me ankesat kushtetuese për vendimet e gjykatës civile që hidhnin poshtë pretendimet kundër shtetit për kompensimin e vdekjeve të dhunshme.

Gjykata konsideroi, megjithatë, se Gjykata Kushtetuese, pas shumë vitesh mosshqyrtimi të ankesave të tilla, kishte rishikuar dhe konsoliduar praktikën e saj dhe në vendimet e saj më të fundit të vitit 2019 kishte bërë një rishikim të efektivitetit të hetimeve, duke marrë praktikën ligjore të Konventës Europiane si bazë për vlerësimin e tij. Andaj, Gjykata Kushtetuese tani ishte mjet efektiv për ankesat në lidhje me hetimet joefektive në bazë të Nenit 2 (e drejta e jetës) dhe Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës. Si rrjedhojë, kërkuesit duhet të paraqisnin ankesë kushtetuese në Kroaci para se të paraqisnin kërkesë në Gjykatën Europiane.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut