Ankesat e ish-zyrtarëve të lartë pas anulimit të faljes shpallen të papranueshme

Në rastin Taleski dhe të tjerët kundër Maqedonisë së Veriut (kërkesat nr. 77796/17, 80003/17, 81848/17, 81862/17, 11583/18, dhe 30884/18, 16.02.2023) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut i ka deklaruar unanimisht kërkesat si të papranueshme.

Shumica e kërkuesve ishin anëtarë të partisë qeverisëse (VMRO-DPMNE) në kohën e ngjarjeve në fjalë, dhe të gjithë kanë mbajtur poste të larta publike, duke përfshirë Kryeministrin, ministrat e Qeverisë dhe kryetarët e komunave. Ata po gjykohen për krime të dyshuara që lidhen dhe që rrjedhin nga përmbajtja e përgjimeve të paligjshme dhe të shpërndara. Ata morën faljet presidenciale, të cilat më vonë u anuluan. Pas anulimeve ata u gjykuan, gjë që është lëndë e këtij rasti. 

Duke u mbështetur në Nenin 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë), kërkuesit u ankuan se ndjekja penale e tyre pas faljes së tyre kishte qenë në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe se vendimet e anulimit kishin qenë kundër parimit të sigurisë juridike për shkak të efektit të tyre retrospektiv. Tutje, z. Taleski dhe z. Temelko u ankuan sipas Nenit 5 § 1 (c) (e drejta për liri dhe siguri) se paraburgimi i tyre kishte qenë arbitrar.

Gjykata e rastit ose i kishte konsideruar anulimet si të vlefshme dhe së këndejmi edhe aktakuzat e kërkuesve, ose nuk i kishte komentuar ato (vendimi është ende në pritje në rastin e z. Temelko). Qeveria, duke iu referuar dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale argumentoi se procedurat e apelit në pritje në Maqedoninë e Veriut do t’u ofronin kërkuesve mundësi për të paraqitur argumentet e tyre në lidhje me faljet në fjalë.


Përveç kësaj, Kodi i Procedurës Penale parashihte shqyrtimin e jashtëzakonshëm nga Gjykata Supreme, dhe Gjykata ishte e kënaqur (dhe kishte vendosur kësisoji në praktikën e saj të mëparshme) se një kërkesë e tillë në rrethana të caktuara do të ishte mjet efektiv, në të cilin kërkuesit mund të mbështeteshin në faljet e tyre dhe veçmas të kërkonin dëmshpërblim financiar nëse do të fitonin.

Për sa i përket Nenit 5 (e drejta për liri dhe siguri), një nga kërkuesit, z. Temelko, nuk kishte bërë ankesat e tij sipas Konventës pranë gjykatave vendore, ndërsa mjeti që një kërkues tjetër – z. Taleski – pretendonte të ishte efektiv ishte refuzuar si jashtë afateve në vendimet e gjykatave vendore
që nuk duken të kenë qenë arbitrare. Kështu, Gjykata vendosi se sistemit kombëtar të gjyqësorit, i cili mund të aplikojë drejtpërdrejt Konventën, duhet t’i jepet mundësi t’i shqyrtojë ankesat dhe të vendosë për çfarëdo shkelje të Konventës. Në fund, Gjykata vendosi se kërkesat sipas Nenit 5 dhe Nenit 6 ishin të papranueshme për shkak të dështimit për të përdorur të gjitha mjetet vendore.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut