Anketa e OSBE-së për dhunën ndaj grave në Maqedoninë e Veriut

Më 15 maj 2019, Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Seksioni Gjinor i OSBE-së prezantuan një studim rreth mirëqenies dhe sigurisë së grave në Maqedoninë e Veriut. Hulumtimi gjeti se ekziston nevojë e veçantë për më shumë mbështetje dhe veprime të synuara për të ndihmuar gratë nga grupet e pakicave dhe nga zonat rurale.

Anketa është e para e këtij lloji e zhvilluar në Europën Juglindore dhe Europën Lindore. Ajo ofron një pasqyrë të hollësishme të dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike të pësuar nga gratë dhe vajzat në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Bosnjë dhe Herzegovinë, Malin e Zi, Serbi, Moldavi dhe Ukrainë. Anketa mbuloi edhe Kosovën.

Kjo anketë synon të sigurojë dëshmi solide për vendimmarrje të informuar dhe avokim në nivele të ndryshme për të zvogëluar dhunën ndaj grave, si dhe për të përmirësuar shërbimet për gratë që kanë përjetuar dhunë.

Bazuar në gjetjet e hollësishme të anketës, OSBE-ja ka hartuar një numër konkluzionesh kyçe që sugjerojnë mënyra për të dalluar dhe për t’iu përgjigjur dhunës ndaj grave:

  • Shkalla e dhunës ndaj grave dhe vajzave në zonën e mbuluar nga anketa kërkon përpjekje të shtuara për të zbatuar legjislacionin dhe për të përmirësuar planet e veprimit që do të adresojnë të gjitha format e dhunës të përjetuara nga gratë dhe vajzat. 
  • Anketa zbulon qartë se të gjitha gratë, pavarësisht nga gjendja e tyre ekonomike apo sociale, mund të përjetojnë dhunë, por disa grupe grash janë në rrezik më të lartë. Këto rreziqe përfshijnë gratë e varfra, ekonomikisht të varura ose ato që kanë fëmijë.
  • Karakteristikat dhe sjellja e kryesve gjithashtu duhet të merren në konsideratë si faktorë të mundshëm të rrezikut që kontribuojnë në dhunën intime të partnerit.
  • Dhuna ka ndikim të rëndë fizik dhe psikologjik, dhe gratë në vendet e anketuara vuajnë nga probleme shëndetësore si rezultat i përvojave të tyre të dhunës. 
  • Duke u nisur nga të dhënat e mbledhura, shihet qartë se gratë nuk raportojnë pjesën më të madhe  të incidenteve në polici dhe rrallëherë kërkojnë mbështetje nga institucionet e tjera. 
  • Pengesat për të kërkuar ndihmë janë të rrënjosura në besimin që i bën gratë të heshtin dhe që i mbrojnë abuzuesit, dhe gjithashtu në mungesën e besimit të grave tek autoritetet për t’u ndihmuar dhe për t’i mbrojtur ato. 
  • Të dhënat e mbledhura ilustrojnë se shumica e grave nuk dinë çfarë të bëjnë nëse përjetojnë dhunë dhe se ato nuk janë në dijeni për organizata të specializuara që ofrojnë mbështetje.

Lexoni studimin e plotë këtu: https://www.osce.org/secretariat/413237?download=true

Referencat nga faqja zyrtare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE)