Burgimi i përjetshëm

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, njëzëri, kishte pohuar se kishte shkelje të nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Petukhov kundër Ukrainës (nr. 2) (parashtresa nr. 41216/13, 12/03/2019).

Gjykata Europiane tashmë ka gjetur shkelje të Nenit 3 të Konventës në një rast tjetër të parashtruar nga z. Petukhov (nr. 43374/02) lidhur me kujdesin e pamjaftueshëm mjekësor gjatë periudhës së paraburgimit të tij, që nuk mbulohet me rastin aktual, pra para korrikut 2010 kur ai u transferua në spitalin e burgut Kherson.

Parashtresa nr. 41216/13 ka të bëjë kryesisht me një ankesë të të burgosurit se ligji ukrainas nuk parashikon lirimin me kusht për të dënuarit me burgim të përjetshëm. Z. Petukhov është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm që nga viti 2004.

Gjykata gjeti një shkelje të Nenit 3 sepse z. Petukhov nuk kishte kurrfarë mundësi lirimi apo mundësinë e shqyrtimit të dënimit të tij me burgim të përjetshëm. Në veçanti, mëshira presidenciale, e vetmja mënyrë për të lehtësuar dënimet e përjetshme në Ukrainë, nuk ishte formuluar qartë, as nuk kishte garanci adekuate procedurale kundër keqpërdorimit.

Duke pasur parasysh natyrën sistematike të problemit, Gjykata sipas nenit 46 (zbatimi) tha se Ukraina duhet ta reformojë sistemin e saj të shqyrtimit të dënimeve me burgim të përjetshëm duke ekzaminuar në çdo rast nëse paraburgimi i vazhdueshëm ishte i justifikuar, si dhe duke u mundësuar të burgosurve të përjetshëm të parashikojnë çka duhet të bëjnë dhe në cilat rrethana mund të merren parasysh për lirim.

Parashtruesi më tej pretendonte sipas nenit 3 se kushtet e mbajtjes së tij në dy burgjet e Kherson-it ishin të këqija dhe se kujdesi mjekësor i papërshtatshëm në burg kishte rezultuar me përkeqësim të pakthyeshëm të shëndetit të tij. Duke pasur parasysh një numër rastesh të tjera kundër Ukrainës, në të cilat Gjykata tashmë kishte vërejtur kujdes të pamjaftueshëm mjekësor për tuberkulozin, ajo vlerësoi se kishte pasur shkelje të Nenit 3 për shkak të dështimit të autoriteteve të kujdeseshin për shëndetin e z. Petukhov në paraburgim që nga koha e transferimit të tij në spitalin e burgut në korrik 2010.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut