Dënimi i kërkuesit për shpifje pas një artikulli të botuar për kandidatin parlamentar nuk ka çuar në shkelje të Nenit 10 të Konventës

Në rastin Prunea kundër Rumanisë (kërkesa nr. 47881/11, 08/01/2019) Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk ka gjetur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me dënimin e kërkuesit, Petru Prunea, pasi ai kishte shkruar një artikull në lidhje me një kandidat për zgjedhjet parlamentare. Në nëntor të vitit 2008, përpara zgjedhjeve parlamentare, z. Prunea shkroi një artikull i cili vendoste pikëpyetje mbi ndershmërinë e një kandidati lokal dhe e akuzonte atë për marrjen e një kredie për të financuar fushatën e tij elektorale, të cilën ai nuk kishte pranuar ta kthente.

Në prill të vitit 2009 kandidati e solli z. Prunea para gjykatës, duke pretenduar se artikulli kishte dëmtuar reputacionin e tij dhe kishte bërë që ai të humbë zgjedhjet. Ai gjithashtu u ankua për një artikull tjetër, të shkruar në janar të vitit 2009, dhe për fletëpalosjet e shpërndara përpara zgjedhjeve.

Në korrik të vitit 2009, Gjykata e Shkallës së Parë në Cluj-Napoca pranoi ankesën e ish-kandidatit, duke e urdhëruar z. Prunea të paguante 20,000 euro dëmshpërblim dhe 3,300 leuja romune për shpenzimet gjyqësore. Gjykata gjeti se z. Prunea nuk kishte dëshmuar se deklaratat e tij ishin të vërteta. Edhe sikur të ishin të vërteta, deklaratat ishin shpifëse dhe nuk duhej të bëheshin në publik, duke qenë se kishin të bënin me çështje të natyrës private, ekonomike.

Duke u mbështetur në veçanti në Nenin 10 (liria e shprehjes) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, z. Prunea u ankua ndaj urdhrit të gjykatës për të paguar dëmet.

GJEDNJ-ja u pajtua me autoritetet gjyqësore kombëtare dhe pranoi se deklaratat e kontestuara paraqisnin sulm ndaj reputacionit të kandidatëve duke arritur nivelin e duhur të seriozitetit, dhe duke shkaktuar paragjykim ndaj ushtrimit të së drejtës së tij për respektimin e jetës private sipas Nenit 8. Prandaj, GJEDNJ-ja nuk gjeti asnjë shkelje të Nenit 10 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut