28 Shk Detyrimi pozitiv i Shtetit për të kryer hetim efektiv për dhunimin e pretenduar
Në rastin Y kundër Bullgarisë (nr. 41990/18, 20.02.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur shkelje të detyrimit pozitiv sipas Nenit 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kërkuesja, znj. Y është shtetase bullgare e cila u lind më 1964 dhe jeton në Haskovo (Bullgari). Rasti ka të bëjë me përpjekjet e autoriteteve për të hetuar pretendimet e kërkueses për përdhunim dhe veçanërisht nëse autoritetet kishin dështuar të ndjekin hetim të qartë të zbuluar nga provat e ADN-së.
Znj. Y pretendon se ajo ishte dhunuar në periferi të Sofjes. Policia mblodhi prova fizike si nga vendi i ngjarjes së përdhunimit ashtu edhe nga kërkuesja (rrobat dhe tamponë). Policia identifikoi një të dyshuar të mundshëm, z. X, një njeri që jetonte në një banesë disa qindra metra larg vendit të ngjarjes. Z. X mohoi të ishte sulmuesi, duke thënë se kishte qenë në shtëpi në banesën e tij në kohën e sulmit. Pesë muaj më vonë, rezultatet e testeve të ADN-së nxorën një të dyshuar të dytë të mundshëm, Z. Z, një punëtor ndërtimi i cili gjithashtu jetonte pranë skenës së përdhunimit. Hetuesi e mori në pyetje z. Z i cili mohoi të kishte ndonjë kontakt seksual me kërkuesen. Autoritetet e ndjekjes vendosën të pezullojnë hetimin, duke gjjetur se megjithëse pretendimet e kërkueses për përdhunim ishin të besueshme, ishte e pamundur të identifikohej sulmuesi ose të përcaktohej me ndonjë shkallë sigurie se ishte kryer vepra. Në vitin 2019 kërkuesja kërkoi rishikim gjyqësor të vendimit për pezullimin e hetimit, por pa sukses. Kërkuesja u ankua se hetimi për përdhunimin ishte duke u zvarritur që nga korriku 2013 derisa autoritetet nuk po e identifikonin apo sillnin para drejtësisë sulmuesin e saj.
Gjykata e shqyrtoi çështjen sipas Nenit 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) dhe Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private).
Gjykata konstatoi se shteti dështoi të ndiqte si duhet një hetim të qartë. Nuk duket se autoritetet bënë ndonjë përpjekje të mëvonshme për të vërtetuar vendndodhjen e z. Z në kohën e sulmit. Po ashtu, autoritetet nuk u përpoqën të gjejnë prova të tjera në lidhje ndonjë marrëdhënie të mundshme midis z. Z dhe kërkueses, ose anasjelltas, për të kontrolluar nëse ekzistonte një shpjegim alternativ për zbulimin e ADN-së së tij në provat e saj, ose të verifikonte besueshmërinë e kësaj prove të ADN-së. Është e vërtetë që vetë kërkuesja nuk bëri presion për ndjekjen e kësaj linje hetimi, por detyrimi për të hetuar në mënyrë efektive nuk është i kufizuar në kërkesa specifike nga viktima e mundshme. Në të vërtetë, Gjykata ka konstatuar se një kërkesë e tillë është e natyrshme në detyrimet procedurale të autoriteteve dhe nuk varet nga nisma e një kërkuesi për të marrë përgjegjësinë për zhvillimin e procedurave hetimore. Kjo vlen në veçanti në rastet, siç është rasti në fjalë, kur autoritetet janë të vetëdijshme për cenueshmërinë e veçantë psikologjike të kërkuesit.
Mungesa e një hetimi penal efektiv mbi pretendimet e kërkueses nuk mund të përmirësohet me mundësinë që ajo të ngrejë pretendime për dëmtim kundër njerëzve që dyshohet se janë përgjegjës për përdhunimin e saj. Është vendosur se detyrimi pozitiv sipas Neneve 3 dhe 8 të Konventës për të siguruar mbrojtje efektive kundër përdhunimit kërkon masa të një natyre penale. Andaj ka pasur shkelje të detyrimeve pozitive të Shtetit të paditur si në Nenin 3 ashtu dhe në Nenin 8 të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut