16 Jan Diskriminim seksual për shkak të ndalimit të të burgosurve meshkuj për të marrë pjesë në funerale
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar se ka pasur shkelje të Nenit 14 (Ndalimi i diskriminimit) në lidhje me Nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Ēcis kundër Letonisë (kërkesa nr. 12879/09).
Rasti kishte të bënte me një të burgosur mashkull, i cili u ankua se nuk ishte lejuar të merrte pjesë në funeralin e të atit, sipas një ligji që rregullonte sistemin e burgjeve që sillte diskriminim në favor të grave.
Gjykata e pranoi pjesërisht argumentin e Qeverisë se trajtimi i ndryshëm i burrave dhe grave në burg ishte justifikuar me faktin se të burgosurat kishin nevoja të veçanta, veçanërisht kur bëhej fjalë për amësinë. Por, masat megjithatë duhet të ishin proporcionale.
Gjykata gjeti se burrat dhe gratë që kishin kryer krim të rëndë dhe kishin marrë të njëjtin dënim ishin trajtuar ndryshe. Burrat vendoseshin automatikisht në kategorinë më të lartë të sigurisë dhe mbaheshin në burgje të mbyllura, ndërsa gratë mbaheshin në burgje më pak të rrepta dhe të mbyllura pjesërisht. Ligji nënkuptonte se kërkuesit i ndalohej automatikisht pjesëmarrja në funeral, ndërsa një grua do ta kishte pasur një mundësi të tillë.
Gjykata arriti në përfundimin se megjithëse disa dallime në trajtim mund të justifikoheshin, një ndalim i përgjithshëm i meshkujve që të dalin nga burgu, madje edhe për të marrë pjesë në një funeral, nuk i ndihmon qëllimit të përmbushjes së nevojave të veçanta të të burgosurave. Refuzimi për të vlerësuar kërkesën e kërkuesit për të marrë pjesë në funeral për shkak të një regjimi të burgut i cili ishte bazuar në gjininë e tij, nuk kishte asnjë justifikimi objektiv dhe të arsyeshëm dhe për këtë arsye ai kishte vuajtur diskriminim dhe shkelje të të drejtave të Konventës.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut