Diskriminimi i bazuar në orientimin seksual të nënës në procedurat gjyqësore në gjykatë

Në rastin X. kundër Polonisë (kërkesa nr. 20741/10, 16.09.2021) Gjykata  Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur: shkelje të Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit), në lidhje me Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Rasti kishte të bënte me procedurat e kërkueses në kontestin e heqjes së kujdestarisë për fëmijën e saj më të vogël pasi ish-bashkëshorti i saj fitoi kujdestarinë në aktgjykimin e divorcit. Ajo pretendoi se gjykatat kishin vepruar në favor të tijin për shkak të marrëdhënies së saj me një grua tjetër. Duke u bazuar në Nenin 14 të marrë në lidhje me Nenin 8, kërkuesja u ankua se gjykatat vendore kishin refuzuar t’i jepnin kujdestarinë e fëmijës së saj mbi bazën e orientimit të saj seksual. 

Gjykata gjeti se referencat e homoseksualitetit të kërkueses dhe marrëdhënia e saj me Z. ishin mbizotëruese në vargun e parë të procedurave lidhur me katër fëmijët. Raporti i parë kishte ardhur në përfundim se ekzistonte mundësia që ajo t’i mbante fëmijët nëse ajo “me vendosmëri do ta ndreqte qëndrimin e saj dhe ta largonte dashnoren e saj nga jeta familjare”. Homoseksualiteti i saj dhe jeta e saj seksuale gjithashtu u përfshinë në opinion e dytë, ku eksperti në mënyrë të hapur e pyeste kërkuesen lidhur me marrëdhëniet e saj intime me Z. duke ardhur në përfundim se fëmijët do të preferonin të jetonin me babain e tyre.  Këto dy opinione kishin përbërë bazën e gjykimit me të cilin të katër fëmijët iu dhanë në kujdestare babait të tyre dhe kërkueses ia kufizuan të drejtat prindërore. 

Gjykata konsideronte se këto opinione ekspertësh dhe vendimi i parë kishin pasur ndikim vendimtar në vargun përfundimtar të procedurave vendore lidhur me kujdestarinë e fëmijës më të vogël. Si kërkuesja ashtu edhe ish bashkëshorti i saj ishin konsideruar me aftësi të ngjashme prindërore; megjithatë, gjykatat kishin refuzuar ta ndryshonin status quonë sa i përket kujdestarisë së fëmijës më të vogël duke u bazuar në dy argumente kryesore – përparësitë e jetesës së përbashkët të të gjithë fëmijëve dhe rëndësia e modelit mashkullor në rritjen e djalit.

Orientimi seksual i kërkueses dhe marrëdhënia e saj me një grua tjetër ishin vënë në qendër të vendimeve dhe ishin të gjithëpranishme në çdo fazë të procedurave gjyqësore. Andaj, kishte pasur dallim në trajtim mes kërkueses dhe prindit tjetër për të pasur kujdestari të plotë për fëmijët e tij ose të saj. Ky dallim ishte bazuar vetëm dhe përfundimisht në orientimin e saj seksual, duke përbërë diskriminim brenda kuptimit të Konventës Europiane. Andaj, ka pasur shkelje të Konventës sipas këtyre Neneve.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut