Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Dunja Mijatovic, Komisionere e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, u bëri thirrje vendeve anëtare të ndalojnë sulmet kundër mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe të përmirësojnë sigurinë dhe mjedisin e tyre të punës.

Komisionerja deklaroi se, pavarësisht deklaratës ndërkombëtare dhe standardeve të qarta që mbrojnë punën e mbrojtësve të të drejtave të njeriut, ende mbetet një hendek i madh midis parimeve dhe realitetit.

“Kam vërejtur pengesa shqetësuese në mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe aftësinë e tyre për të punuar në një numër të madh vendesh europiane. Ata përballen me një sërë formash të hakmarrjes, duke përfshirë ngacmimet gjyqësore, ndjekjen penale, heqjen e paligjshme të lirisë, kontrollet abuzive dhe mbikqyrjen, fushatat kërcënuese, kërcënimet dhe frikësimet. Disa prej tyre sulmohen fizikisht, i nënshtrohen keqtrajtimit, rrëmbimit, madje edhe vriten. Aktivistët që mbrojnë të drejtat e emigrantëve, personave LGBT, ose grave, si dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut që punojnë në çështje të ndjeshme, siç janë përgjegjësia për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe çështjet mjedisore, shënjestrohen gjithnjë e më shumë nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë. Legjislacioni kufizues dhe retorika e dëmshme politike po e bëjnë punën e OJQ-ve për të drejtat e njeriut gjithnjë e më të vështirë dhe të pasigurtë”, thotë Komisionerja.

Ajo shtoi se duke qenë se bota feston 70-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nuk duhet ta harrojnë asnjëherë detyrimin e tyre për të siguruar që mbrojtësit e të drejtave të njeriut të punojnë të lirë dhe të sigurtë.

Referencat nga uebfaqja zyrtare e Këshillit të Evropës