E drejta e politikanëve për privatësi

Në rastin Bojan Pantic kundër Serbisë (Kërkesa nr. 33776/20, 28.03.2023) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e shpalli kërkesën të papranueshme.

Kërkuesi është politikan serb i cili shërbeu si President i Qeverisë Krahinore të Krahinës Autonome të Vojvodinës në Republikën e Serbisë nga viti 2004 deri në vitin 2016. Nga viti 2014 deri në vitin 2016 ai ka qenë edhe kryetar i Partisë Demokratike. Në vitin 2015 ai nisi procedurat e shpifjes kundër A.M., anëtar i rangut të lartë të Partisë Përparimtare Serbe dhe deputet në atë kohë, për shkak të deklaratave të bëra nga A.M. në një konferencë për shtyp. Në mënyrë të veçantë, A.M. pohoi se regjimi i kërkuesit ishte i korruptuar dhe se kërkuesi i kishte “kidnapuar” të gjithë anëtarët e një këshilli bashkiak nga partia e tij dhe i kishte “mbajtur rob” në një hotel. Në një nga këto intervista, A.M. e quajti kërkuesin “bandit”. Në fund, gjykatat civile vendore hodhën poshtë pretendimin e kërkuesit. Vendimi përfundimtar u dha nga Gjykata Kushtetuese më 13 shkurt 2020. 

Gjykata në fillim përsërit se reputacioni mbrohet nga Neni 8 i Konventës si pjesë e së drejtës për respektimin e jetës private. Megjithatë, që Neni 8 të hyjë në lojë, sulmi ndaj reputacionit të një personi duhet të arrijë nivel të caktuar serioziteti dhe të dëmtojë ushtrimin personal të kësaj të drejte. Nuk është kontestuar se Neni 8 është i zbatueshëm në këtë rast. Tutje, në rastet kur, si në rastin konkret, interesat e “mbrojtjes së reputacionit ose të të drejtave të të tjerëve” vënë në lojë Nenin 8, Gjykatës mund t’i kërkohet të verifikojë nëse autoritetet vendore arritën një ekuilibër të drejtë kur mbronin dy vlerat e garantuara nga Konventa, përkatësisht lirinë e shprehjes të mbrojtur nga Neni 10 në një anë dhe të drejtën e respektimit të jetës private të mishëruar në Nenin 8.

Në rastin konkret, Gjykata vëren se gjykatat vendore konstatuan se çështjet e ngritura në deklaratat e A.M. ishin çështje me interes publik dhe mbështeteshin në atë që A.M. kishte besuar se kishte baza të shëndosha (si raportet e mediave). Deklaratat e kundërshtuara nuk preknin jetën private të kërkuesit. Gjykatat vendore më tej thanë se kërkuesi, si politikan, në mënyrë të pashmangshme dhe me vetëdije u ekspozua ndaj shqyrtimit të çdo fjale dhe vepre të tij dhe duhej të shfaqte nivel më të madh të tolerancës. Për më tepër, kërkuesi kishte qenë pjesë e skenës politike serbe për një kohë të mjaftueshme për t’u mësuar me këtë stil komunikimi dhe vetë kishte dhënë deklarata duke e krahasuar A.M. me një mi a majmun. Duke u mbështetur në praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, gjykatat vendore vendosën se çdo dhënie e kompensimit do të shkelte lirinë e shprehjes së A.M. dhe për këtë arsye hodhi poshtë pretendimin e kërkuesit.

Në fund, pretendimet e kërkuesit në lidhje me lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Serbi janë të parëndësishme në këtë rast sepse as kërkuesi as A.M. nuk është gazetar ose pronar i ndonjë mediumi. Kërkuesi gjithashtu nuk argumenton, e lëre më të vërtetojë, se i është mohuar e drejta e përgjigjes e garantuar nga Neni 83 i Ligjit për Informimin dhe Mediat Publike 2014.

Duke pasur parasysh sa më sipër, Gjykata vlerëson se gjykatat vendore paraqesin arsye të mjaftueshme për të konstatuar se lirisë së shprehjes së A.M. duhej t’i jepej më shumë peshë sesa të drejtës së kërkuesit për të respektuar jetën e tij private në rrethanat e këtij rasti. Së këndejmi, nuk ka asnjë arsye për të arritur në përfundimin se gjykatat vendore tejkaluan marzhin e tyre të vlerësimit. Nga kjo rrjedh se kërkesa është qartazi e pabazuar dhe si e tillë duhet të refuzohet në përputhje me Nenin 35 §§ 3 (a) dhe 4 të Konventës.

Referencat nga faqja e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut