08 Kor E drejta e qasjes në gjykatë është shkelur nga kërkesat tejet formaliste që apeli të depozitohet elektronikisht
Në rastin Xavier Lukas kundër Francës (kërkesa nr. 15567/20, 09.06.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (qasja në gjykatë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me kërkesën për të nxjerrë procedime në Gjykatën e Apelit në mënyrë elektronike duke përdorur platformën e-barreau. Gjykata e Apelit konsideroi se kërkesa në letër për të shfuqizuar shpërblimin arbitrar mund të merrej parasysh me arsyetimin se forma online nuk u lejonte përdoruesve të hynin në atë lloj aplikimi ose në kapacitetin në të cilin ishin emëruar palët. Megjithatë, Gjykata e Kasacionit mori qëndrim të kundërt, duke konsideruar se kërkesa duhej të ishte paraqitur në mënyrë elektronike. Gjykata e Kasacionit vendosi se kërkesa duhej të ishte paraqitur elektronikisht duke zbatuar Nenet 1495 dhe 930-1 (Kodi i Procedurës Civile) CPC dhe duke shfuqizuar gjykimin e 17 marsit 2016 pa kthimin e çështjes për procedime të mëtejshme. Gjykata Europiane konsideroi se duke bërë kështu, Gjykata e Kasacionit i kishte mohuar kërkuesit mundësinë të shqyrtohej ligjshmëria e shpërblimit arbitrar nga gjyqtari duke dëgjuar kërkesën për shfuqizim.
Në lidhje me atë nëse kufizimi ishte i nevojshëm, Gjykata vuri në dukje se kërkesa elektronike lidhej me procedimet ku përfaqësimi ishte i detyrueshëm. Në praktikë kjo funksiononte përmes platformës së përbashkët digjitale për gjykatat e zakonshme dhe komerciale dhe në të cilat vetëm avokatët kishin qasje. Gjykata tha se nuk ishte joreale ose e paarsyeshme të kërkohej që profesionistët ligjorë, për të cilët kompjuterët kishin qenë prej kohësh vegël e profesionit të tyre, të përdornin një platformë të tillë.
Në përputhje me paraqitjen e kërkuesit se në fakt kishte qenë e pamundur të bëhej paraqitja e kërkesës në platformën e-barreau, Gjykata gjeti se për ta paraqitur atë elektronikisht në e-barreau avokati i kërkuesit do të duhej të plotësonte formularin duke përdorur terma të pasaktë ligjorë. Më tej, Gjykata vuri në dukje se Qeveria nuk kishte treguar se informatat specifike se si të depozitohej një apel i tillë ishte vënë në dispozicion të përdoruesve.
Për më tepër, Gjykata gjeti se avokati i kërkuesit nuk kishte gabuar në veçanti duke bërë kërkesën në letër ku paragrafi i dytë i Nenit 930-1 CPC dukej se e lejonte këtë me përjashtime. Së këndejmi, Gjykatës nuk iu duk se kërkuesi mund të mbahej përgjegjës për gabimin procedurial në këtë rast.
Gjykata vendosi se duke i dhënë përparësi rregullit që procedimet në Gjykatën e Apelit duhej të bëheshin në mënyrë elektronike, duke shpërfillur pengesat praktike që ndeshte kërkuesi në këtë mënyrë,
gjykata e Kasacionit kishte marrë qasje formaliste që nuk ishte e nevojshme për të siguruar qartësinë ligjore ose administrimin e duhur të drejtësisë dhe që për këtë arsye duhej të konsiderohej si e tepruar.
Gjykata arriti në përfundimin se mbi kërkuesin ishte vënë një barrë e shpërpjestuar, duke trazuar ekuilibrin e duhur mes shqetësimit të ligjshëm për të siguruar respektimin e formaliteteve për lëshimin e procedimeve gjyqësore nga njëra anë dhe drejtën e qasjes në gjykatë nga ana tjetër.
Referencat nga faqja e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut