22 Mar Frontex në Maqedoninë e Veriut
Agjencia kufitare dhe e rojës bregdetare e BE-së Frontex do të ofrojë mbështetje operacionale në menaxhimin e kufirit të Maqedonisë së Veriut, “me respekt të plotë për të drejtat themelore”, sipas një marrëveshjeje të miratuar nga ligjvënësit e BE-së më 15 shkurt 2023.
Frontex do të dërgojë ekipet e veta për të mbështetur autoritetet e Maqedonisë së Veriut në menaxhimin e emigrantëve në kufirin e vendit, i cili shtrihet në të ashtuquajturën Rutën Ballkanike të përdorur nga emigrantët për të shkuar nga juglindja në Europën Perëndimore.
Sipas të dhënave të Frontexit, kalimi i parregullt përmes Rutës së Ballkanit “kaloi dyfishin” në vitin 2021, në krahasim me vitin e kaluar, për një total prej 61,735 kalimesh të zbuluara, ndërsa 330,000 u regjistruan në vitin 2022 – shifra më e lartë që nga viti 2016, sipas agjencisë së BE-së.
Në detaje, aktivitetet e përbashkëta duhet të kërkohen nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në bazë të një plani operacional. Marrëveshja do të hyjë në fuqi dy muaj pasi BE-ja dhe Maqedonia e Veriut të njoftojnë për përfundimin e procedurave të brendshme të ratifikimit.
Sipas tekstit të marrëveshjes, “stafi duhet të respektojë plotësisht të drejtat themelore, duke përfshirë qasjen në procedurat e azilit dhe dinjitetin njerëzor dhe t’u kushtojë vëmendje të veçantë grupeve të cënueshme”. Për të siguruar këtë, propozimi përcakton se do të ketë një zyrë të dedikuar të Frontexit, të ngarkuar me mbikqyrjen e të drejtave të njeriut.
Marrëveshja BE-Maqedoni e Veriut nuk është marrëveshja e parë që synon të zgjerojë praninë e Frontexit në vendet e treta me zona të ndjeshme për sa i përket rrugëve të emigrantëve, siç është Ballkani Perëndimor.
Në mes të nëntorit, Këshilli i BE-së njoftoi për fillimin e negociatave ndërkombëtare për rritjen e pranisë së Frontexit në katër vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Referencat nga uebfaqja Euractiv