24 Tet Grupi i Ekspertëve i Këshillit të Europës për Aksionin kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje raporton për Malin e Zi dhe Turqinë
Grupi i Ekspertëve i Këshillit të Europës për Aksionin kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (GREVIO) ka publikuar raportin e tij vlerësues për Malin e Zi dhe Turqinë. Raportet përmbajnë një analizë të përgjithshme të zbatimit të dispozitave të Konventës së Stambollit.
Në rastin e Turqisë, ekspertët e GREVIO-s e morën parasysh përparimin sa u përket masave për mbrojtjen e grave nga dhuna, por theksojnë se nuk ka të dhëna ose prova të mjaftueshme për të treguar se rastet e dhunës janë hetuar, janë ndjekur penalisht dhe janë sanksionuar në mënyrë efektive. Raporti gjithashtu ngre shqetësime serioze lidhur me martesat në moshë të mitur dhe ato të detyruara, lidhur me dhunën psikologjike dhe ngacmimin. Përveç kësaj, raporti flet për kushte gjithnjë e më kufizuese të vendosura kundrejt organizatave të pavarura të grave dhe pandryshueshmërinë e pikëpamjeve të rrënjosura, kufizuese dhe stereotipike ndaj roleve të grave që vazhdojnë të jenë të pranishme në shoqërinë turke, duke përfshirë edhe nivelin më të lartë politik dhe publik dhe që nxisin dhunën kundër grave. Raporti u bën thirrje autoriteteve që të shtojnë masat për të identifikuar dhe korrigjuar boshllëqet në reagimin institucional ndaj dhunës ndaj grave, ta përkufizojë martesën e detyruar dhe ngacmimin si vepra të ndara penale, dhe të zhvillojë programe të trajnimit për autoritetet e zbatimit të ligjit.
Për sa i përket Malit të Zi, GREVIO mirëpret legjislacionin e ri rreth dhunës në familje, i cili parasheh urdhrat për ndalim dhe ndalimin e emergjencave, kriminalizimin e formave të tjera të dhunës ndaj grave siç parashihet me Konventën e Stambollit, gjegjësisht ngacmimin, gjymtimin gjenital femëror dhe sterilizimin e detyruar, si dhe të drejtat e rëndësishme për viktimat e dhunës në familje, siç është e drejta për ndihmë juridike. Megjithatë, GREVIO thekson se masat që adresojnë llojet e tjera të dhunës, si përdhunimi dhe martesa e detyruar, kërkojnë përmirësime të mëtejshme. GREVIO u bën thirrje autoriteteve malazeze të krijojnë qendra të mjaftueshme referimi për kriza të përdhunimit dhe/ose dhunë seksuale, të sigurojnë trajnime adekuate të profesionistëve dhe të zhvillojnë mundësi të mjaftueshme financimi për OJQ-të e grave që ofrojnë shërbime të specializuara për viktimat.
Referencat nga faqja zyrtare e Këshillit të Europës.