Komentet fyese në forumin online nuk kishin shkaktuar shkelje të Nenit 8 të Konventës

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Høiness kundër Norvegjisë (kërkesa nr. 43624/14, 19/03/2019).

Rasti kishte të bënte me refuzimin nga gjykatat vendore të ankimit që kërkonte përgjegjësi civile nga një forum online pasi aty ishin postuar komente vulgare për znj. Høiness Znj. Høiness e cila është avokate e famshme. Kishte nisur procedura civile përpara Gjykatës së Qytetit të Oslos në maj të vitit 2011 kundër Hegnar Media AS company dhe z. H., redaktor i portalit online Hegnar Online, për shpifje. Kërkuesja theksoi se ishte shkelur nderi i saj për shkak të ngacmimit seksual në tri komente anonime të postuara në forumin e portalit në fjalë, pjesë e Hegnar Media AS.

Duke u bazuar në Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private) znj. Høiness ishte ankuar se autoritetet norvegjeze kishin shkelur të drejtat e saj sipas Konventës duke mos e mbrojtur sa duhet të drejtën e saj për mbrojtjen e reputacionit dhe duke kërkuar që ajo të paguante shpenzimet e gjykatës për rastin e saj.

Gjykata kishte konstatuar në veçanti se gjykatat vendore kishin vepruar brenda diskrecionit të tyre (“margjina e vlerësimit”) kur kishin kërkuar të gjenin barazpeshën ndërmjet të drejtave të znj. Høiness sipas Nenit 8 dhe lirisë së shprehjes së portalit të lajmeve dhe të forumit të diskutimit sipas Nenit 10.

Gjykata konstatoi se komentet lidhur me znj. Høiness nuk përbënin gjuhë të urrejtjes apo nxitje të dhunës. Për sa i përket kontekstit në të cilin ishin bërë komentet, Gjykata gjeti se forumet debatuese nuk ishin integruar sa duhet në paraqitjen e lajmeve, prandajnuk dukeshin të ishin vazhdimësi e artikujve editorialë. Për më tepër, vendimi i gjykatave vendore për shpenzimet nuk kishte shkelur Nenin 8.  Prandaj, në këtë rast nuk kishte pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut