Kufizimet e vizitave familjare në burgje

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Resin kundër Rusisë (kërkesa nr. 9348/14, 18/12/2018). Rasti kishte të bënte me ankesën e një të burgosuri për kufizimet e vizitave familjare.

Kërkuesi, Andrey Resin, është shtetas rus i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në rajonin Sverdlovsk (Rusi). Ai vuajti dënimin nga viti 2012 deri në vitin 2014 në koloninë penale IK-56 në rajonin Sverdlovsk, i cili është 7,000 kilometra larg qytetit të tij të lindjes, Khabarovsk. Gjatë kohës në këtë objekt ai mund të pranonte gjashtë vizita të shkurta nga familja e tij, me një xham ndarës dhe mbikëqyrej nga një zyrtar i burgut. Ai bëri kërkesë për të pasur vizita pa kufizime të tilla, por u refuzua. Kur u transferua në një qendër paraburgimi në Khabarovsk për dy muaj në vitin 2014 si pjesë e një hetimi, ai kërkoi të ketë vizita të shkurta dhe të gjata të familjes së tij. Guvernatori e hodhi poshtë kërkesën e tij për një vizitë të gjatë sepse ligji në fuqi nuk e lejonte një gjë të tillë për të burgosurit e dënuar të transferuar në qendër paraburgimi nga institucioni korrektues e që janë pjesë e një hetimi.

Duke u mbështetur në veçanti në Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare), z. Resin u ankua se kufizimet e vizitave të familjes së tij në qendrën e paraburgimit ishin të tepërta.

Gjykata gjeti se Qeveria nuk e kishte shpjeguar qëllimin legjitim dhe nuk kishte dhënë arsyetime për masën e tillë. Ajo po ashtu nuk kishte dhënë informacione të cilat do të shpjegonin politikën e legjislaturës në favor të ndalimit të vizitave familjare për individët si në rastin e kërkuesit i cili ishte transferuar në një qendrë paraburgimi. Ndryshe nga kjo, kategoritë e “stacionuara” të të dënuarve, duke përfshirë edhe ata që kanë vuajtur dënimin në qendrën e njëjtë të paraburgimit ku ishte transferuar edhe parashtruesi, nuk përjashtoheshin nga vizitat e gjata familjare. Ajo gjithashtu gjeti se qendra e paraburgimit në Khabarovsk ishte e pajisur me hapësira për vizita të gjata familjare. Gjykata prandaj gjeti se kufizimi nuk kishte qëllim legjitim dhe nuk ishte “i nevojshëm në një shoqëri demokratike”.

Referencat nga uebfaqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut