Kushtet e ndalimit në Kroaci

Në rastin Ulemek kundër Kroacisë (kërkesa nr. 21613/16) 3 Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur shkelje të Nenit 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (trajtimi degradues) – në lidhje me kushtet e ndalimit të z. Ulemek në Burgun e Zagrebit, dhe nuk ka pasur shkelje të Nenit 3 – sa i përket kushteve të ndalimit të z. Ulemek në Burgun Shtetëror Glina.

Kërkuesi, Dušan Ulemek, është shtetas kroat i lindur më 1982.

Rasti kishte të bënte me ankesën e kërkuesit për kushtet e ndalimit të tij në dy burgje dhe mungesës së mjeteve juridike efektive vendore. Në mars të vitit 2010 z. Ulemek iu shqiptua një dënim me burg prej 18 muajsh për ndihmën dhe nxitjen e grabitjes. Ai kaloi 27 ditë në burgun e Zagrebit në periudhën maj-qershor 2011 dhe pjesën tjetër të dënimit në burgun Glina para se të lirohej me kusht në shtator të vitit 2012. 

Duke u mbështetur veçanërisht në Nenin 3 (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, kërkuesi u ankua për kushtet e ndalimit të tij në të dy burgjet.

Gjykata vuri në dukje se kërkuesi mezi kishte 3 metra katrorë hapësire personale dhe në disa raste edhe më pak. Për më tepër, Gjykata mori në konsideratë që shqetësimet për kushtet e ndalimit në burgun e Zagrebit tashmë ishin theksuar nga Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe CPT-ja. Në këto rrethana, pavarësisht nga rëndësia relative e qëndrimit të kërkuesit në burgun e Zagrebit, Gjykata konstaton se kushtet e ndalimit të kërkuesit paraqisnin trajtim degradues kundër kërkesave të Nenit 3 të Konventës.

Sa i përket kushteve të ndalimit të kërkuesit në Burgun Shtetëror Glina, Gjykata vëren se megjithëse kufizimi i kundërshtuar i hapësirës personale mund të paraqesë prezumim të fortë të shkeljes së Nenit 3, Gjykata konsideron se kishte faktorë të mjaftueshëm për të kundërshtuar një supozim të tillë. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se periudha në fjalë menjëherë i parapriu lirimit të kërkuesit; që kërkuesi kishte liri të mjaftueshme të lëvizjes pasi qelia nuk ishte e mbyllur kurrë; se ai ishte angazhuar në aktivitete të ndryshme që lidhen me përgatitjen për lirimin e tij; dhe që kushtet e përgjithshme në qelinë speciale për lëshim ishin të kënaqshme. Andaj, nuk kishte asnjë shkelje të Nenit 3 të Konventës në lidhje me ndalimin në Burgun Shtetëror Glina.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut