10 Tet Liria e shprehjes së avokatit
Në rastin of L.P. dhe Carvalho kundër Portugalisë (kërkesat nr. 24845/13 dhe 49103/15, 08.10.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bëjë me gjetjet e përgjegjësisë ndaj dy avokatëve për shpifje (L.P.) dhe për sulmimin e nderit të personit (z. Carvalho) në lidhje me dy gjyqtarë, për shkak të dokumenteve të hartuara nga avokatët në cilësinë e tyre si përfaqësues.
Në vitin 2008 L.P. i dërgoi një letër Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (HCJ) për t’u ankuar për sjelljen e gjykatëses A.A. Në veçanti, ai deklaroi se kishte vërejtur “atmosferë të një afërsie të madhe midis gjykatësit dhe mbrojtësit”. HCJ-ja vendosi të mos ndërmarrë asnjë veprim mbi ankesën. Gjykatësja A.A. më pas bëri një ankesë për shpifje ndaj L.P.-së, duke pretenduar sulm ndaj reputacionit dhe nderit të saj. Në vitin 2012 Gjykata e Apelit në Lisbonë urdhëroi L.P.-në t’i paguante 5,000 euro (EUR) gjykatëses, duke gjetur se akuzat e bëra kundër saj kishin kapërcyer kufijtë e kritikës së lejuar.
Në vitin 2009 dy persona me origjinë rome, të përfaqësuar nga z. Carvalho, parashtruan ankesa kundër gjykatëses A.F. për shpifje dhe diskriminim racor për shkak të komenteve të bëra nga ajo në një gjykim në lidhje me ta. Në vitin 2011 gjykatësja ngriti padi civile kundër z. Carvalho, duke argumentuar se në cilësinë e tij si përfaqësues ai me vetëdije kishte parashtruar ankesë penale të pabazuar kundër saj. Z. Carvalho u urdhërua të paguante 10,000 EUR me interes të paracaktuar.
Gjykata konstatoi, në veçanti, se të dy kërkuesit kishin vepruar si avokatë në kryerjen e detyrave të tyre profesionale. Akuzat e L.P.-së kishin qenë kritika të atij lloji që gjykatësit mund të prisnin të merrnin gjatë detyrave të tyre, pa dëmtuar nderin apo reputacionin e tyre si rezultat i kësaj. Akuzat nuk i kishin kapërcyer kufijtë e kritikës së lejueshme; ato i ishin dërguar vetëm HCJ-së dhe nuk ishin bërë publike. Rasti kundër z. Carvalho kishte të bënte me faktin se ai kishte marrë udhëzime nga klientët që kërkonin të ndiqnin një gjykatëse për shpifje dhe diskriminim, pas procedurave penale të cilat kishin pasur mbulim të gjerë mediatik për shkak të një verdikti të dhënë nga gjykatësja në fjalë kundër klientëve të z. Carvalho. Gjykata konsideroi se z. Carvalho thjesht kishte mbrojtur interesat e klientit të tij dhe nuk pa se si ai kishte dështuar të respektojë etikën profesionale. Për më tepër, Gjykata konsideroi se veprimi për të detyruar avokatin të refuzonte udhëzimet mund të shkelte të drejtën e secilit individ për të pasur qasje në gjykatë.
Gjykata tutje konsideroi se ndëshkimet mund të kishin efekt të frikshëm mbi profesionin e avokatit në tërësi. Si pasojë, arsyet e dhëna nga gjykatat vendore për të justifikuar përgjegjësinë e parashtruesve të kërkesës nuk ishin as relevante as të mjaftueshme dhe nuk korrespondonin me nevojën e ngutshme shoqërore. Kështu, ndërhyrja kishte qenë joproporcionale dhe nuk kishte qenë e nevojshme në një shoqëri demokratike.
Referencat nga uebfaqja e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut