06 Qer Në Beograd mbahen Ditët juridike të Europës Juglindore
Ditët juridike të Europës Juglindore (SEELD) janë mbajtur në hotelin Metropol Palace në Beograd në datat 27 dhe 28 maj 2019.
SEELD është ngjarje unike e cila bëri bashkë ekspertë të shquar juridikë nga Europa Juglindore përgjatë dy ditëve me qëllim të diskutimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe njohurive relevante.
Gjatë kësaj ngjarjeje dyditore studentë të juridikut, aktivistë të organizatave joqeveritare dhe pjesëmarrës të tjerë të interesuar në drejtësi dhe të drejtat e njeriut patën mundësinë të shikojnë 40 ekspozita të ndryshme si dhe të marrin pjesë në 7 panele të ndryshme diskutimi.
Njëri prej paneleve kishte të bënte me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe me zbatimin e saj. Paneli “Zbatimi i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i parimit të gjykimit të drejtë përpara gjykatave vendore” u mbajt në ditën e parë të këtij organizimi.
Panelistët shpjeguan se puna këmbëngulëse e avokatëve ndikon në vetëdijësimin e gjyqtarëve vendorë për sa u takon parimeve të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (“Konventës”) dhe nxit zbatimin e Konventës në vendimet gjyqësore. Ata theksuan ndikimin e Konventës në harmonizimin e praktikave në shtetet me traditë të ngjashme juridike dhe me probleme të natyrës së ngjashme.
Panelistët nxorën në pah numrin e rritur të kërkesave të refuzuara si problem në rritje në praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ata gjithashtu ua kujtuan pjesëmarrësve rastet më të spikatura të Gjykatës Europiane, siç ishte rasti i foshnjeve të zhdukura në Serbi, “Zorica Jovanovic kundër Serbisë (kërkesa nr. 21794/08)”, pastaj rasti Sejdic-Finci kundër Bosnjës dhe Hercegovinës (27996/06 dhe 34836/06) si dhe rasti që kishte të bënte me kursimet në valutë të vjetër të huaj Elicic kundër Bosnjës dhe Hercegovinës (kërkesa nr. 41183/02).
Njëra prej temave ishte gjithashtu edukimi i studentëve dhe përfshirja e lëndës “Të Drejtat e Njeriut” si lëndë e detyrueshme në fakultetet juridike. Në këtë kontekst, përfaqësuesit e Këshillit të Europës e paraqitën platformën e tyre HELP, që ofron kurse të ndryshme online në fushën e të drejtave të njeriut, në dispozicion të secilit që është i interesuar për këtë fushë.
Panelistët ishin:
- Milan Antonijevic, drejtor ekzekutiv, Open Society Foundation
- Tatjana Papic, profesoreshë e asociuar, Fakulteti Juridik, Universiteti Union
- Elma Veledar-Arifagic, avokate dhe konsulente e AIRE Centre
- Nikola Kovacevic, zyrtar i ndërmjetësimit strategjik, Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut
- Maja Micic Lazovic, zyrtare e lartë e projekteve, Departamenti për Implementim Nacional të të Drejtave të Njeriut, Këshilli i Europës
dhe moderator – Goran Miletic, drejtor për Europë, Civil Rights Defenders
Më shumë rreth platformës HELP dhe kurseve online mund të kuptoni në linkun në vijim: