Nuk ka pasur shkelje nga ish-presidenti i Kroacisë në procesin kundër tij për shkak të shpifjes së avokatit

Në rastin Mesić kundër Kroacisë (kërkesa nr. 19362/18, 05.05.2022) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzeri se nuk ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë brenda kohës së arsyeshme) të Konventës Europiane.

Rasti kishte të bënte me procedurat civile për shpifje në të cilën kërkuesi – ish-President i Kroacisë – ishte urdhëruar nga gjykatat kroate t’i paguante ekuivalentin e 6,660 eurove një avokati specialist me origjinë kroate që ushtronte profesionin në Francë, për dëmtim të reputacionit të tij. Në vitin 2006 Ivan Jurašinović, avokat kroat i cili ushtronte profesionin në Angers (Francë) në atë kohë, paraqiti një ankesë penale në emër të një prej klientëve të tij kundër 11 shtetasve kroatë, duke përfshirë z. Mesić, në lidhje me dy akuzat për tentimvrasje dhe një akuzë për tentimgrabitje nga një organizatë kriminale. Z. Mesić u akuzua si bashkëautor. Sipas klientit të z. Jurašinović, i apostrofuari kishte financuar fushatën zgjedhore të z. Mesić në vitin 2000. Artikujt që lidhnin emrin e Presidentit të atëhershëm me ankesën penale u paraqitën në faqet e internetit të dy të përditshmeve në Kroaci, duke e quajtur atë si “një lloj patroni politik të personit që urdhëroi vrasjen”. Presidenti i atëhershëm, kur u kërkua të komentonte këtë nga gazetarët në një konferencë shtypi televizive, deklaroi se, kur të vijë në Zagreb, z. Jurašinović duhet të shkojë në një spital psikiatrik ku ai dhe të tjerët si ai mund të marrin trajtim efektiv. Deklarata u raportua në faqen zyrtare të Presidentit të Kroacisë dhe nga media të ndryshme. Z. Jurašinović më pas incioi procedura civile për shpifje në Kroaci, duke u ankuar se z. Mesić kishte përdorur pozicionin e tij si President i Kroacisë dhe vëmendjen e mediave për të njollosur nderin dhe reputacionin e tij dhe për të dëmtuar besueshmërinë e tij profesionale dhe morale.

Gjykata vuri në dukje se kur z. Mesić kishte theksuar se z. Jurašinović kishte nevojë për trajtim psikiatrik, ai kishte qenë Presidenti i shtetit, dhe komenti i tij ishte raportuar gjerë e gjatë nga media të ndryshme. Prandaj, pavarësisht nëse ajo deklaratë duhej të ishte kuptuar fjalë për fjalë (siç e konsideruan gjykatat vendore) ose figurativisht (siç e paraqiti z. Mesić), Gjykata pranoi se ajo jo vetëm që kishte mundësi të njolloste reputacionin e z. Jurašinović, por edhe të ishte në dëm të tij si në jetën e tij profesionale ashtu edhe atë shoqërore. Në të njëjtën kohë, sipas këndvështrimit të Gjykatës, përfshirja e dyshuar e një Presidenti shteti në një tentimvrasje dhe/ose lidhjet e tij të mundshme me krimin e organizuar është padyshim çështje me interes publik. z. Mesić kishte pasur të drejtë t’i përgjigjej një akuze të tillë dhe të mbrohej, gjë që ai e kishte bërë së pari duke bërë disa deklarata faktike që mohonin çdo lidhje me personin e lidhur me krimin e organizuar. Megjithatë, ai kishte shkuar një hap më tej dhe ishte përpjekur të diskreditonte z. Jurašinović  duke bërë një deklaratë ofenduese duke përdorur terma nënçmuese dhe të pavend, të cilat nuk kishin qenë të nevojshme. Deklarata të tilla të bëra nga z. Mesić jo vetëm që kishin qenë në dëm të reputacionit të avokatit, por edhe të kishin efekt “frikësues”, zhbindës në ushtrimin e detyrave të tij profesionale. Andaj, kompensimi në fjalë kishte qenë dënim i përshtatshëm për të neutralizuar këtë efekt dhe për t’u përpjestuar me qëllimin e mbrojtjes së reputacionit të avokatit.

Megjithatë, Gjykata arriti në përfundimin se kohëzgjatja e procedurave kishte qenë e tepruar dhe kishte dështuar të përmbushte kërkesën e “kohës së arsyeshme”. Andaj, kishte pasur shkelje të Nenit 6 § 1 të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut