07 Mar Numri i madh i padive kundër gazetarëve në Kroaci
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Désir shprehu shqetësimin e tij lidhur me numrin e madh të padive të paraqitura kundër gazetarëve dhe gazetave nga politikanët dhe zyrtarët publikë në Kroaci, si dhe lidhur me një mosmarrëveshje të vazhdueshme që përfshin transmetuesin publik (HRT). Të dyja çështjet mund të ndikojnë negativisht në lirinë e medias në Kroaci, paralajmëroi ai.
Sipas Shoqatës së Gazetarëve të Kroacisë (CJA), ka më shumë se 1,100 padi aktuale kundër gazetarëve dhe gazetave në vend. Shumë raste janë parashtruar nga politikanët dhe figurat publike dhe përfshijnë veprën e ‘turpërimit’ që është ende pjesë e Kodit Penal të Kroacisë.
“Një numër kaq i madh i rasteve gjyqësore kundër gazetarëve është i habitshëm”, tha Désir. “Ligjet e shpifjes nuk duhet të keqpërdoren për të frikësuar gazetarët. Bëj thirrje për heqjen e ‘turpërimit’ nga legjislacioni dhe për dekriminalizimin e plotë të shpifjes”.
Përfaqësuesi gjithashtu vuri në dukje se ka 36 padi të paraqitura nga transmetuesi publik (HRT) kundër gazetarëve, disa prej të cilëve janë staf i këtij transmetuesi. HRT-ja gjithashtu ka ngritur padi kundër presidentit të CJA-së, Hrvoje Zovko, dhe presidentit të degës së CJA-së në HRT, Sanja Mikleusević Pavic.
“I bëj thirrje HRT-së të angazhohet në një dialog konstruktiv jashtëgjyqësor me gazetarët dhe të zgjidhë mosmarrëveshjet aktuale”, tha Désir. “Është për t’u lavdëruar që procesi i marrëveshjes ka filluar në disa raste, dhe kjo me shpresë do të rezultojë me hedhjen poshtë të të gjitha akuzave ndaj gazetarëve”.
Referencat nga faqja zyrtare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE)