OKB-ja duhet të ndërmarrë masa të menjëhershme për të siguruar drejtësi për komunitetet pakicë të vendosura në kampet e kontaminuara në Kosovë

Eksperti i të drejtave të OKB-së kërkon që Kombet e Bashkuara të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të siguruar drejtësi dhe mjete juridike për komunitetet pakicë të zhvendosura nga kampet e OKB-së të ndërtuara në djerrinën toksike në Kosovë.

Rreth 600 pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian mes viteve 1999 dhe 2013 u vendosën në kampet që u ndërtuan në një lokacion që njihet si i kontaminuar me plumb. Rreth gjysma e tyre ishin fëmijë nën moshën 14-vjeçare.

Helmimi me plumb besohet ta ketë shkaktuar vdekjen e disa fëmijëve dhe të rinjve. Banorët e tjerë të dikurshëm thuhet se ende po përballen me një sërë problemesh shëndetësore, siç janë: sulmet e ndryshme, sëmundjet e veshkave, vështirësitë e ndryshme fizike dhe mendore dhe humbja e kujtesës.

Në vitin 2016, Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut rekomandoi që OKB-ja të ndërmarrë hapat e duhur për pagesën e kompensimit adekuat individual të 138 anëtarëve të tre komuniteteve dhe të kërkojë falje publike për mosplotësimin e standardeve të të drejtave të njeriut.

Paneli ka identifikuar shkelje të shumta të të drejtave të njeriut – duke përfshirë të drejtat për jetën, shëndetin dhe mbrojtjen nga trajtimi çnjerëzor dhe degradues – si dhe shkelje të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës.

Raportet për helmimin e banorëve ishin në dispozicion që nga viti 1999, dhe masat mbrojtëse për të parandaluar ekspozimin ndaj plumbit ishin ndërmarrë për ushtarët paqeruajtës në vitin 2000. Megjithatë, masat parandaluese për banorët nuk u morën deri në vitin 2006.

Fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna janë veçanërisht të cënueshme nga helmimi me plumb, dhe mund të pësojnë efekte të padëshirueshme shëndetësore, veçanërisht duke ndikuar në zhvillimin e trurit dhe të sistemit nervor.

Përveç takimeve me viktimat dhe zyrtarët e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Raportuesi Special ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në lidhje me përpjekjet për të ofruar një zgjidhje.

Fondi Vullnetar i Mirëbesimit, i cili u krijua në vitin 2017, nuk është aktivizuar sepse nuk ka marrë asnjë kontribut nga bashkësia ndërkombëtare.

Më shumë informacione për rastin mund të gjeni këtu: https://www.ohchr.org/EN/Issues/Environment/ToxicWastes/Pages/LeadContaminationKosovo.aspx

Referencat nga faqja zyrtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara

Tags: