18 Shk Paanshmëria e gjykatësit në dy proceset e ndërlidhura
Në rastin Alexandru Marian Iancu kundër Rumanisë (kërkesa nr. 60858/15, 04.02.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut njëzëri ka gjetur se nuk ka pasur shkelje të Nenit 6 § 1 (e drejta për gjykim të drejtë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me pretendimin e kërkuesit se një gjykatës që ishte përfshirë në dënimin e tij në dy grupe të procedurave të lidhura nuk mund të ishte i paanshëm. Kërkuesi, Alexandru-Marian Iancu, është shtetas rumun i cili aktualisht është i arrestuar në burgun Rahova (Rumani) pas dënimit të tij për krime të ndryshme financiare në vitin 2014 dhe 2015. Z. Iancu kishte dy procedura penale ndaj tij në lidhje me krimet financiare që ai dyshohet se kishte kryer ndërmjet viteve 2000 dhe 2003 në cilësinë e tij si menaxher ose drejtor i disa ndërmarrjeve private. Ai u dënua në të dy grupet e procedurave nga një trup gjykues me dy gjykatës. Një nga gjykatësit, M.A.M., u paraqit në të dy trupat gjykues. Gjatë procedurës së ankimit në çështjen e dytë kundër z. Iancu, gjykatësi M.A.M. kërkoi të tërhiqej për të eleminuar çdo dyshim sa i përket mungesës së paanshmërisë së tij. Kërkesa e tij u hodh poshtë nga një kolegj i dy gjyqtarëve të cilët konstatuan se vetë fakti që ai kishte marrë pjesë në çështjen e mëparshme nuk mund të ngrinte dyshim të arsyeshëm për paanshmërinë e tij dhe se nuk kishte asnjë provë që të tregonte se, në rastin e parë, ai kishte shprehur mendim për fajin e të akuzuarit që ishte aktualisht në gjykim. Pretendimet e mëtejme për anshmëri u ngritën kundër gjykatësit M.A.M., por ato gjithashtu u refuzuan.
Gjykata përsëriti se Neni 6 § 1 kërkonte që gjykata të ishte e paanshme dhe se kishte bërë një test objektiv dhe subjektiv për të vlerësuar nëse ishte kështu. Sa i përket testit subjektiv, Gjykata nuk u bind se gjykatësi M.A.M. kishte pasur ndonjë paragjykim personal ndaj z. Iancu në procedurën e dytë. Gjykata po ashtu nuk konsideroi se kishte ndonjë arsye objektive për shqetësimet e z. Iancu për paanshmërinë e gjykatësit. Gjykatësi kishte kërkuar të tërhiqej nga rasti, kryesisht si masë paraprake dhe jo për shkak të ndonjë dyshimi aktual mbi paragjykimin. Për më tepër, kërkesa e tij ishte hedhur poshtë me një vendim të arsyetuar. Edhe pse një gjykatëse tjetër që kishte marrë pjesë në grupin e parë të procedurave përkrah gjyqtarit M.A.M. ishte diskualifikuar nga të qenët në grupin e dytë të procedurave, ai vendim ishte bazuar në disa arsye, duke përfshirë sjelljen e saj pasi ajo kishte shprehur mendim për çështjen e dytë gjatë ankimit. Në anën tjetër, përveç ngjashmërisë së pretenduar midis dy grupeve të procedurave, sjellja e gjykatësit M.A.M. nuk kishte qenë e tillë që të justifikonte në mënyrë objektive mosbesimet e z. Iancu në lidhje me paanshmërinë e tij. Andaj, nuk kishte pasur shkelje të Nenit 6 § 1.
Referencat nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut