Përgjimi në kontekstin e procedurave penale nuk ishte në përputhje me Konventën

Në rastin Potoczká dhe Adamčo kundër Sllovakia (nr. 7286/16, 12.01.2023) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi shkelje të Nenit 8 dhe nenit 6 § 1 të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me të drejtën për gjykatë të pavarur dhe të paanshme dhe të drejtën për aktgjykim të arsyetuar.

Kërkuesit, Anita Potoczká dhe Branislav Adamčo, janë çift. Rasti ka të bëjë me përgjimin telefonik në vitin 2004 në kuadër të procedurës penale për zhvatje kundër z. Adamčo. Telefoni i përgjuar i përkiste zonjës Potoczká, por ishte – sipas autoriteteve – duke u përdorur nga z. Adamčo.

Duke u mbështetur në veçanti në Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private) dhe Nenin 13 (e drejta për mjet efektiv) të Konventës, kërkuesit ankohen se urdhri i gjykatës që autorizon përgjimin nuk dha ndonjë arsye; as nuk identifikonte gjyqtarin e as nuk monitoronte nëse kishte baza të vazhdueshme për përgjim. 

Gjykata vëren se procesi i përgjimit të telefonit në shtetin e paditur përfshin disa faza dhe bie nën përgjegjësinë e disa autoriteteve. Për aq sa është relevant në rastin konkret, përgjimi i telefonit në fjalë është urdhëruar nga Gjykata Rajonale dhe është kryer nga policia, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Rajonale. Urdhri në fjalë ishte brenda kornizës së parashikuar në Nenin 88 të PKK-së të vitit 1961. Sipas paragrafëve 2 dhe 3 të kësaj dispozite, kërkohej që urdhër-përgjimet telefonike sipas KPP-së të lëshoheshin nga një gjyqtar dhe të mbështeteshin me një arsyetim. Siç pranohet në praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, arsyeja pse urdhrat për përgjim telefonik duhej të mbështeteshin me arsyetim në të gjitha rastet ishte se ata autorizonin një ndërhyrje serioze në privatësi, ndërsa personat në fjalë nuk kishin zgjidhje të drejtpërdrejtë dhe normalisht do të kuptonin për përgjimin vetëm në retrospektivë. Kërkesa ligjore që urdhri i përgjimit të mbështetet me arsyetim është në përputhje me praktikën gjyqësore të Konventës, sipas së cilës verifikimi nga autoriteti përgjegjës për të autorizuar përdorimin e mbikëqyrjes sekrete që – ndër të tjera, përdorimi i masave të tilla është i kufizuar në rastet në të cilat ka baza faktike për të dyshuar një person për planifikimin, kryerjen e disa akteve të rënda penale dhe se masat mund të urdhërohen vetëm nëse nuk ka perspektivë për të vërtetuar me sukses faktet me një metodë tjetër ose se kjo do të ishte shumë më e vështirë – përbën garanci për një procedurë të përshtatshme të hartuar për të siguruar që masat të mos urdhërohen në mënyrë të rastësishme, të parregullt ose pa shqyrtimin e duhur dhe të detajuar. Prandaj është e rëndësishme që autoriteti në fjalë të ketë përcaktuar nëse ka pasur justifikim bindës për autorizimin e masave të përgjimit të fshehtë.

Urdhri në fjalë nuk është vënë në dispozicion të Gjykatës. Megjithatë, në mungesë të ndonjë kundërshtimi nga ana e Qeverisë, Gjykata vlerëson se urdhërarresti nuk përmbante arsyetim përtej referimit të kërkesës së Shërbimit të Prokurorisë Publike dhe konstatimit të kundërligjshëm se, në funksion të asaj kërkese, marrja e provave të nevojshme me mjete të tjera ishte e paefektshme ose e pamundur.

Meqë urdhri nuk përmbante asnjë arsyetim, ai nuk mund të shqyrtohej për sa i përket nevojës në një shoqëri demokratike për qëllimet e Nenit 8 § 2 të Konventës. Prandaj, urdhri nuk përmbushte kërkesën thelbësore të ligjit vendor, një fakt të cilin as qeveria nuk ka kërkuar ta kundërshtojë.

Gjykata arriti në përfundimin se ndërhyrja në të drejtën e ankuesve për respektimin e jetës së tyre private dhe korrespondencës nuk ishte në përputhje me ligjin. Andaj, ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës në lidhje me të dy kërkuesit.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut