18 Tet Procedura për përcaktimin e të drejtës së qasjes të fëmijës nuk plotësoi kërkesat e Nenit 8 të Konventës.
Në rastin Anagnostakis dhe të tjerët kundër Greqisë (kërkesa nr. 46075/16, 23.09.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me të drejtat e qasjes që i ishin dhënë kërkuesve, babait dhe gjyshërve të fëmijës në fjalë (i cili ishte dy vjeç kur u parashtrua kërkesa), dhe kohëzgjatjen e një numri procedurash në të cilat pala kundërshtare ishte nëna e fëmijës.
Sa i përket babait të fëmijës, Gjykata vuri në dukje se procedura – e cila filloi më 18 dhjetor 2015 – kishte zgjatur, deri më sot, më shumë se pesë vjet e nëntë muaj në katër nivele të gjyqësorit, duke përfshirë procedurat për urdhra të përkohshëm. Gjykata përsëriti se në rastet e kësaj natyre gjithmonë ekzistonte rreziku që çdo vonesë procedurale të rezultonte de facto zgjidhjen e çështjes.
Duke pasur parasysh detyrimin pozitiv të Shteteve sipas Konventës për të vepruar me kujdes të veçantë në raste të tilla, që përfshijnë të drejtat e banimit dhe qasjes në lidhje me fëmijët, Gjykata arriti në përfundimin se periudha kohore që kishte kaluar në rastin konkret nuk mund të konsiderohej e arsyeshme. Së këndejmi, kishte pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.
Për sa u takon gjyshërve, Gjykata vuri re se ata nuk kishin ndërmarrë veprim kryesor kundër nënës së fëmijës në lidhje me të drejtat e tyre të qasjes. Periudha që do të merrej në konsideratë kishte filluar më 10 dhjetor 2015, dhe kishtepërfunduar më 27 qershor 2016, kur ishte publikuar vendimi nr. 2924/2016 – me të cilin gjykata e shkallës së parë u kishte dhënë të drejta të përkohshme për qasje.
Andaj, procedura kishte zgjatur më pak se gjashtë muaj. Gjykata konsideroi se, në rastin konkret, kohëzgjatja e procedurës për të përcaktuar aranzhimet për të drejtat e qasjes së këtyre dy kërkuesve në lidhje me fëmijën nuk kishin qenë të paarsyeshme dhe se, si rrjedhojë, nuk kishte pasur dështim nga autoritetet vendore për të përmbushin detyrimet e tyre pozitive sipas Nenit 8 të Konventës. Andaj, kërkesa e tyre duhej të refuzohej si qartazi e pabazuar.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut