15 Nën Procedurat disiplinore kundër gjyqtares për kritikat e saj ndaj gjyqësorit nuk ishin në pajtim me Konventën
Në rastin Miroslava Todorova kundër Bullgarisë (kërkesa nr. 40072/13, 26.10.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut u shpreh, me shumicë, se:
- me pesë vota pro dhe dy kundër, nuk kishte shkelje të Nenit 6 (e drejta për gjykim të drejtë) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut;
- njëzëri kishte shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës, dhe
- njëzëri, shkelje tëNenit 18 (kufizimi i përdorimit të ndalimit të të drejtave) në lidhje me Nenin 10.
Rasti kishte të bënte me dy grupe procedurash disiplinore kundër kërkueses, e cila kishte qenë gjyqtare dhe Kryetare i Unionit Bullgar të Gjyqtarëve në kohën në fjalë. Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) urdhëroi uljen e pagës së saj, pasuar me shkarkimin e saj për shkak të vonesave në trajtimin e rasteve të saj.
Gjykata vuri në dukje se procedurat disiplinore para KLGJ-së përfshinin një sërë garancish procedurale. Kështu, kërkuesja kishte qenë në dijeni të akuzave kundër saj dhe kishte mundur të paraqitej personalisht para panelit disiplinor për të paraqitur prova në mbrojtje të saj. Gjykata vërejti se Gjykata e Lartë Administrative kishte juridiksion për të shqyrtuar çdo çështje faktike që ajo e konsideronte të rëndësishme, si dhe karakterizimin ligjor të shkeljeve disiplinore që i atribohen veprimeve ose mosveprimeve të kërkueses.
Për sa i përket procedurës para Gjykatës së Lartë Administrative, Gjykata nuk konstatoi mungesë të pavarësisë ose paanësisë nga ana e asaj gjykate dhe asnjë shkelje të aspekteve të tjera të mbarëvajtjes së procedurave, dhe rrjedhimisht nuk gjeti shkelje të Nenit 6.
Duke pasur parasysh rëndësinë qenësore të lirisë së shprehjes për çështjet me interes publik, si funksionimi i gjyqësorit dhe nevoja për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit, Gjykata vlerësoi se procedura disiplinore kundër kërkueses dhe sanksionet e vendosura ndaj saj kishin përbërë ndërhyrja në ushtrimin e së drejtës së saj për lirinë e shprehjes, ndërhyrje e cila nuk ishte “e nevojshme në një shoqëri demokratike” në ndjekjen e qëllimeve legjitime të përcaktuara në Nenin 10 të Konventës.
Duke pasur parasysh të gjitha faktet e këtij rasti, Gjykata arriti në përfundimin se qëllimi kryesor i procedurës disiplinore ndaj kërkueses dhe i sanksioneve të vendosura ndaj saj nga KLGJ-ja nuk kishte qenë sigurimi i respektimit të afateve kohore për përfundimin e çështjeve, por për ta penalizuar dhe frikësuar atë për shkak të kritikave të saj ndaj KLGJ-së dhe ekzekutivit.Gjykata vlerësoi se shkarkimi i urdhëruar nga KLGJ-ja dhe zbatimi i menjëhershëm i atij sanksioni kishte pasur në mënyrë të padiskutueshme efekt drithërues për kërkuesen si dhe mbi gjyqtarët e tjerë, duke i penguar ata të shprehnin mendime kritike për veprimin e KLGJ-së, ose më në përgjithësi për çështjet që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut