Raporti botëror i Human Rights Watch 2019

Human Rights Watch në raportin botëror 2019 tha se vendet e Ballkanit kishin bërë progres të vogël vitin e kaluar në fushën e të drejtave të njeriut, duke përmendur mungesën e mbështetjes për ndjekjen e krimeve të luftës si dhe një sërë çështjesh të tjera.

Ky raport përmbledh çështjet kyçe të të drejtave të njeriut në më shumë se 90 shtete dhe territore në mbarë botën, duke u bazuar në ngjarje nga fundi i vitit 2017 deri në nëntor të vitit 2018.

Bosnja dhe Hercegovina

Bosnja ka bërë përparim të kufizuar në vitin 2018 për sa i përket zgjidhjes së problemeve afatgjata të të drejtave të njeriut, thotë raporti. Rastet e krimeve të luftës po zgjidhen me ritëm të ngadaltë.

Pjesëtarët e pakicave kombëtare mbeten të pakualifikueshëm për të garuar për presidencë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2018 për shkak të dështimit të ndryshimit të dispozitave diskriminuese në kushtetutë.

Autoritetet boshnjake nuk ofruan as mbështetje themelore për mijëra azilkërkues dhe emigrantë që mbërritën në vitin 2018, thuhet në raport.

Gazetarët përballen me kërcënime dhe ndërhyrje në punën e tyre, dhe ndonëse disa raste janë hetuar nga policia dhe ato i janë dorëzuar prokurorisë, askush nuk është dënuar për sulme ndaj gazetarëve në kohën e shkrimit të raportit.

Politikanët në Bosnjë dhe Hercegovinë ende nuk diskutojnë publikisht për të drejtat dhe shqetësimet e komunitetit LGBT, policia shpesh hedh poshtë krimet e urrejtjes kundër personave LGBT dhe marrja e lejeve për ngjarjet e komunitetit LGBT dhe tubimet paqësore ishte dukshëm më e vështirë në vitin 2018 se në vitet e mëparshme, thuhet në raport.

Krocia

Mes janarit dhe shtatorit 2018, kishte 14 raste të krimeve të luftës para gjykatave në Kroaci. Në të njëjtën periudhë, gjykatat dënuan vetëm katër persona për krime lufte.

Raporti vuri në dukje se rreth 2,500 azilkërkues dhe emigrantë ishin kthyer nga policia kroate në Bosnjë dhe Hercegovinë, pati qindra raste të refuzimit të aksesit në procedurat e azilit dhe mbi 700 pretendime për dhunë dhe vjedhje nga ana e policisë.

Raporti thotë se një studim i financuar nga qeveria i publikuar në korrik zbuloi se pothuajse të gjithë romët në vend jetojnë në varfëri dhe më pak se një e treta e tyre përfundojnë shkollën fillore.

Raporti përmendi një fushatë që filloi në maj për një referendum publik për të reduktuar numrin e vendeve për serbët në parlament dhe për t’i kufizuar ata të votonin për buxhetin dhe formimin e qeverisë, gjë që ka alarmuar udhëheqësit e bashkësisë serbe dhe OJQ-të.

Kosova

Progresi në përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë ishte i ngadalshëm gjatë vitit, tha raporti i HRW-së.

Liderët serbë dhe kosovarë në gusht njoftuan për një plan kundërthënës për të rivizatuar kufijtë e tyre, gjë që shkaktoi shqetësime rreth pasojave ndaj të drejtave të njeriut kur mendohet për shpërngulje të popullsisë që mund të kërkohen sipas planit.

Tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës vazhduan, veçanërisht në veri. Komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane të Ballkanit vazhdojnë të përballen me diskriminim.

Dhuna në familje mbetet e përhapur në Kosovë me reagim të dobët të policisë, me pak ndjekje penale dhe me gjyqtarë që hezitojnë të nxjerrin urdhra kufizues kundër bashkëshortëve dhunues.

Gazetarët u përballën me kërcënime dhe frikësime, dhe ndjekjet penale të krimeve kundër gazetarëve ishin të ngadalta.

Serbia

Në Serbi, ndjekjet penale të krimeve të luftës patën progres të ngadaltë dhe nuk patën mbështetje politike dhe burime të përshtatshme, ndërsa mekanizmat për mbështetjen e dëshmitarëve ishin të dobëta, thuhet në raport.

Në raport gjithashtu thuhet se sistemi i azilit ende ka mangësi dhe kushtet për azilkërkuesit nuk kanë arritur të përmirësohen.

Situata për gazetarët gjithashtu ka mbetur e pasigurtë, duke përfshirë sulmet, kërcënimet dhe paditë kundër atyre që raportojnë për çështje të ndjeshme, vuri në dukje raporti. Komisioni i krijuar për të hetuar vrasjet e tre gazetarëve të shquar nuk bëri asnjë përparim.

Këtu mund të lexoni raportin e plotë

https://www.hrw.org/sites/default/files/world_report_download/hrw_world_report_2019.pdf

References from the the Human Rights Watch and Balkan Insight