06 Maj Raporti i Këshillit të Europës për lirinë e shprehjes në vitin 2018
Një raport, i publikuar në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit nga Departamenti i Shoqërisë së Informacionit të Këshillit të Europës, nxjerr në pah kërcënimet kryesore ndaj lirisë së shprehjes në Europë në vitin 2018 dhe veprimet që qeveritë duhet të ndërmarrin për t’u ballafaquar me to si çështje prioritare.
Raporti shpreh shqetësimin për rritjen e dhunës dhe të frikësimit ndaj gazetarëve. Arsyet për shqetësim janë gjithashtu sulmet verbale në rritje dhe legjislacioni kufizues me të cilin OJQ-të përballen në disa shtete, përhapja e keqinformimit përmes mediave dhe kanaleve në internet dhe ndikimi negativ i revolucionit digjital në qëndrueshmërinë financiare të gazetarisë cilësore dhe hulumtuese.
Në këtë drejtim, Raporti thekson se pas vizitave në Serbi dhe Sllovaki, Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut vuri në pah rreziqet që dalin nga fushatat e shpeshta të shpifjeve dhe komenteve nxitëse ndaj mediave dhe gazetarëve individualë. Deklarata të tilla krijojnë mjedis të pasigurtë për gazetarinë, veçanërisht kur ato vijnë nga zyrtarët publikë si pjesë e përpjekjeve të qëllimshme për të frikësuar zërat kritikë. Në një rast të tillë, deklaratat fyese nga presidenti i atëhershëm i Republikës Srpska kundër një gazetari serb shkaktuan kërcënime me vdekje. Komentet erdhën si përgjigje ndaj publikimit të një databaze të mediave ku figuronin pasuritë e patundshme në pronësi të politikanëve boshnjakë.
Presionet financiare, favorizimet dhe format e tjera të manipulimit të tërthortë të mediave mund të jenë po aq të fshehta dhe përdoren gjithnjë e më shumë nga politikanët e të gjitha niveleve. Pas një vizite në Serbi, Komisioneri vuri në dukje problemet lidhur me skemën e mbështetjes financiare të shtetit për projektet e mediave me interes publik, duke përfshirë mungesën e transparencës, alokimet e motivuara politikisht dhe financimin e mediave joprofesionale.
Këtu mund të lexoni më shumë rreth Raportit: https://rm.coe.int/freedom-of-expression-2018-/1680943557
Referencat nga faqja e internetit e Këshillit të Europës