17 Kor Raporti i Komisionit Evropian 2019 për Serbinë në lidhje me statusin e romëve në Republikën e Serbisë
Në Raportin e Komisionit Evropian për Serbinë 2019, Komisioni shprehet se shumica e romëve në Serbi kanë dokumentacion civil, por thekson se procedura për regjistrimin e lindjes së fëmijëve nga prindërit të cilët nuk kanë dokumente personale duhet të monitorohet, dhe legjislacioni sekondar lidhur me këtë duhet të ndryshohet.
Në këtë mënyrë, Komisioni Europian i është bashkuar një numri të konsiderueshëm të organizatave ndërkombëtare dhe traktatesh, të cilat gjithashtu kanë theksuar këtë problem në raportet e tyre dhe i kanë rekomanduat Serbisë të mundësojë regjistrimin e lindjes së çdo fëmije menjëherë pas lindjes. Rekomandime të ngjashme janë nxjerrë për Serbinë edhe nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve dhe Komiteti i OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore. Vitin e kaluar, Parlamenti Europian gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që të mundësojë realizimin e plotë të së drejtës së regjistrimit në kohën e lindjes, ndërsa Serbia gjithashtu është zotuar të përmbushë Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, duke përfshirë, ndër të tjera, qëllimin e sigurimit të identitetit ligjor për të gjithë, përfshirë regjistrimin e lindjes.
Të gjitha këto rekomandime u nxorën për shkak të dy akteve nënligjore që rregullojnë procedurën e regjistrimit të lindjes të cilat parandalojnë regjistrimin e lindjes menjëherë pas lindjes së fëmijëve nga nënat të cilat nuk posedojnë dokumente personale. Në këtë mënyrë, shkelet e drejta e fëmijës për regjistrimin e lindjes menjëherë pas lindjes, e cila garantohet edhe me konventat e ratifikuara ndërkombëtare dhe Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë. Në interpretimin e dispozitave të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, UNICEF deklaron se regjistrimi i lindjes “menjëherë pas lindjes” nënkupton afatin prej disa ditëve, dhe jo muajve. Por në Serbi, këto procedura zgjasin shumë, në disa raste edhe më shumë se gjysmë viti.
Ky problem në Serbi prek pothuajse ekskluzivisht pakicën etnike rome, pasi një numër i grave rome ende nuk posedojnë dokumente personale.
Në fund, Raporti i KE-së për Serbinë 2019 tregon gjithashtu për probleme të tjera me të cilat përballet popullsia rome në Serbi, për pozitën e vështirë sociale të romëve dhe hendekun që ekziston midis tyre dhe popullatës shumicë. Andaj, ndër të tjera, thuhet se pothuajse 60% e vajzave nga vendbanimet rome janë martuar në moshë të re. Raporti gjithashtu thotë se e drejta për shtesën e fëmijëve varet nga vaksimini i tyre, ndërsa vetëm 12.7% e fëmijëve romë kanë marrë të gjitha vaksinat e rekomanduara, ndërsa kjo përqindje tek fëmijët joromë është 70.5. Raporti gjithashtu thotë se shumë më pak fëmijë romë ndjekin kopshtin, dhe shumë më pak nxënës romë mbarojnë shkollën në krahasim me fëmijët joromë. Raporti gjithashtu jep të dhëna që tregojnë shkallë më të lartë të papunësisë tek romët, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë, dhe gjithashtu tërheq vëmendjen sa i përket përfaqësimit të pamjaftueshëm të romëve në administratën publike.
Referencat nga faqja zyrtare e Praxis