Raporti i të drejtave të njeriut për Serbinë

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e tij të tridhjetë e tetë në Gjenevë, miratoi raportin e Grupit i Punës për Rishikimin Periodik Universal për Serbinë (UPR).

Serbia e kaloi Ciklin e Tretë të UPR-së në janar të këtij viti, dhe në këtë proces Serbia mori 190 rekomandime nga vendet anëtare të OKB-së, nga të cilat u pranuan gjithsej 175 ndërsa 15 u vërejtën.  

Në bisedimet me delegacionin nga Serbia morën pjesë 86 vendet anëtare të OKB-së të cilat e lavdëruan progresin e Serbisë në katër vitet e shkuara në të gjitha fushat me rëndësi për jetësimin e të drejtave të njeriut.

Njëri prej vendeve anëtare, Shqipëria, i njohu përpjekjet e Serbisë për sa i përket demokratizimit, sundimit të ligjit, dhe përmbushjes së detyrimeve të saj në fushën e të drejtave të njeriut.  Shqipëria vërejti me admirim përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë për të parandaluar e për të luftuar dhunën kundër grave dhe dhunën në familje, si dhe hapat drejt përmirësimit të barazisë gjinore. Megjithatë, ajo shprehu keqardhje që Serbia vetëm i ka vërejtur rekomandimet e Shqipërisë për të ratifikuar Konventën për Punëtorët Emigrantë dhe për të identifikuar zyrtarë qeveritarë të cilët kanë qenë të përfshirë në krimet e luftës.  

CIVICUS – Alenca Botërore për Pjesëmarrje Qytetare, në një deklaratë të përbashkët e mirëpriti marrëveshjen e nënshkruar ndëmjet Zyrës së Prokurorit, Sekretarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, dhe shoqatave të gazetarëve dhe të mediave në dhjetor 2018 për bashkëpunim dhe masa për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve. Por Serbia kishte përmbushur vetëm 1 nga 18 rekomandimet që kanë të bëjnë me hapësirën qytetare. Organizata ishte alarmuar për kërcënimet, sulmet dhe ngacmimet e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve.

Dejan Zlatanović, Përfaqësues i Përhershëm i Serbisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, shpjegoi se rekomandimet që nuk mund të pranoheshin më së shumti nuk përputheshin me situatën në terren, apo kërkonin ndryshime të kornizës ligjore që tashmë ishte vlerësuar si e përshtatshme nga institucionet kompetente ndërkombëtare. Ai gjithashtu deklaroi se Serbia ishte e përkushtuar ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit.  Përkushtimi për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut u manifestua edhe më tej nga fakti se brenda qeverisë ekzistonte një departament i posaçëm operativ – Zyra për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave. Një trup i veçantë u themelua për të institucionalizuar bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara – Këshillin për Monitorimin e Zbatimit të Rekomandimeve të Mekanizmave të të Drejtave të Njeriut të OKB-së. Po ai trup do të monitoronte zbatimin e rekomandimeve të raportit aktual të Rishikimit Periodik Universal. Serbia beson fuqishëm në mekanizmat e të drejtave të njeriut të OKB-së dhe në ndikimin e tyre pozitiv tek shoqëritë si dhe në paqen në rajon e në mbarë botën, përfundoi z. Zlatanović.     

Më shumë për takimin e tridhjetë e tetë të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut të mbajtur në Gjenevë mund të lexoni këtu:

https://www.ohchr.org/EN/HRBodies/HRC/Pages/NewsDetail.aspx?NewsID=23301&LangID=E