Refuzimi për të bërë ndryshimin e shtetësisë në listën zgjedhore të gjyqtarëve ka çuar në shkeljen e të drejtës për privatësi

Në rastin e Tasev kundër Maqedonisë së Veriut (kërkesa nr. 9825/13, 16.05.2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Rasti kishte të bënte me refuzimin e autoriteteve për ta aprovuar kërkesën e z. Tasev për ta ndryshuar shtetësinë e tij në listën zgjedhore për gjyqtarë. Në shtetor 2012 ishte shpallur një konkurs për pesë vende të lira në Këshillin Shtetëror Gjyqësor (KShGj). Më pas, z. Tasev i parashtroi kërkesë Ministrisë së Drejtësisë që ta ndryshojë shtetësinë e tij në listën zgjedhore, nga ajo bullgare në atë maqedone. Ministria e Drejtësisë e refuzoi kërkesën e tij, duke theksuar se ky ndryshim kishte për synim të realizonte një të drejtë zgjedhore që kishte të bënte me përzgjedhjen e anëtarëve të KShGj-së. Ministria shtoi se ky ndryshim i shtetësisë kërkohej ekskluzivisht për realizimin e asaj të drejte pas njoftimit se kjo përzgjedhje do t’i vendoste gjyqtarët e tjerë në “pozitë të pafavorshme”.

Gjykata gjeti në veçanti se z. Tasev nuk mund ta kishte paraparë interpretimin e një dispozite vendore nga ana e autoriteteve vendore. Gjykata gjithashtu theksoi se pjesa 17 e Aktit të Këshillit Shtetëror Gjyqësor saktësonte rregulla procedurale sipas të cilave gjyqtarët mund të kërkonin t’i përmirësonin të dhënat e tyre, duke përfshirë përkatësinë etnike. Sipas këndvështrimit të Gjykatës, nuk ekzistonte asgjë në atë dispozitë që mund të intepretohej se i parandalonte gjyqtarët që kandidojnë për zgjedhje t’i përmirësojnë të dhënat e tyre personale në listën zgjedhore, pas shpalljes së një konkursi të tillë. Autoritetet vendore rrjedhimisht e kanë cituar dhe e kanë zbatuar një interpretim të asaj dispozite që nuk mund të thuhej se ishte e parashikueshme. Andaj, baza ligjore për refuzim nuk ishte e parashikueshme. Meqë ndërhyrja nuk ishte bërë “në përputhje me ligjin”, në këtë rast ka pasur shkelje të Nenit 8.

Gjykata tutje ka gjetur, njëzëri, se ankesa e z. Tasov lidhur me shkeljen e Nenit 6 (e drejta për gjykim të drejtë) se nuk ishte njoftuar me provat, u hodh poshtë si e papranueshme. Gjykata ka gjetur se dokumentet e dorëzuara nga Ministria e Drejtësisë në procedurat vendore nuk kanë pasur peshë për zgjidhjen e rastit. Rrjedhimisht, z. Tasev nuk ka pësuar ndonjë disavantazh të madh pasi gjykatat nuk ia kanë përcjellë provat.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut