Republika Srpska e ka hedhur poshtë Raportin e Komisionit të Srebrenicës i cili e konfirmonte gjenocidin

Kuvendi Nacional i Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë ka ngjallur shqetësimin e ekspertit të lartë të OKB-së për Parandalim të Gjenocidit për shkak të vendimit për ta hedhur poshtë Raportin e Komisionit të Srebrenicës të vitit 2004 i cili e konfirmonte gjenocidin gjatë luftës në Bosnjë në vitet 1990.  

“Refuzimi i gjetjeve të Komisionit është një hap mbrapa për Bosnjën e Hercegovinën. Ky akt cënon sundimin e ligjit dhe përpjekjet vendore e ndërkombëtare për të sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të kryera kundër njerëzve të të gjitha përkatësive etnike gjatë luftës në Bosnjë në vitet 1992-1995″, tha Këshilltari Special Adama Dieng.

Shumë prej gjetjeve të Komisionit ishin verifikuar dhe ishin konfirmuar nga aktvendimet e gjykatave ndërkombëtare, vendore e të huaja.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi kanë gjetur se masakra e musimanëve boshnjakë në Srebrenicë përbente gjenocid.

Gjatë vizitës së tij në shkurt, z. Dieng deklaroi se shihej qartë se ngjarjet e së kaluarës po shfrytëzoheshin për qëllime politike. Ai ngriti shqetësime lidhur me hedhjen poshtë të vendimeve gjyqësore; lartësimin e kriminelëve të luftës dhe të krimeve të tyre; emërimin e kriminelëve të dënuar në poste publike; si dhe lidhur me ndikimin negativ që këto zhvillime mund të kenë për shanset e pajtimit në vend.

“Mosbesimi dhe armiqësia e drejtpërdrejtë ndërmjet udhëheqësve politikë që paraqesin elektorate të ndryshme paraqet pengesë për ndonjë progres të rëndësishëm drejt pajtimit”, kishte thënë Këshilltari Special.

Referencat nga uebfaqja zyrtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara