
Hyrje
Është kënaqësi të jem me ju këtu në Dubrovnik për Forumin e 8-të Rajonal të Shtetit të së Drejtës për Evropën Juglindore. Ky është Forumi i dytë për mua si Kryetar i Gjykatës Evropiane (më në fund erdha në Rajon!). Falënderoj përzemërsisht Qendrën AIRE dhe Mbrojtësit e të Drejtave Civile që kanë organizuar një program kaq të pasur, me kaq shumë gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë të Gjykatës së bashku në një vend.
Tema e vitit të kaluar ishte pandemia dhe marrëdhënia e saj me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Këtë vit diskutimet tuaja do t’i kushtohen një teme po aq të rëndësishme, pazgjidhshmërisht të lidhur me shtetin e së drejtës: pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit. Në fakt, edhe pandemia ka lidhje me pavarësinë e gjyqësorit, për çka do të flas pak më vonë.
Ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit ka qenë prioritet i kryesimit grek dhe atij gjerman të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Arsyet e këtij fokusi politik janë të qarta.
Shteti i së drejtës ndodhet nën trysni sot në disa prej demokracive tona në Evropë (dhe realisht në botë), teksa shohim pavarësinë e gjyqësorit duke u sfiduar direkt ose indirekt. Kjo formon një pjesë të kulturës së “rrëshqitjes demokratike”, dëshmitarë të së cilës kemi qenë të gjithë vitet e fundit.
Gjykata e Strasburgut ka zhvilluar një sërë praktikash gjyqësore në lidhje me këtë çështje, krahas të drejtës për proces të drejtë nga një ‘gjykatë e pavarur dhe e paanshme e ngritur me ligj’. Në mënyrë të veçantë, kemi marrë kërkesa nga gjyqtarë vendas të cilët ankohen për procedura disiplinore, shkarkime dhe ulje në pozita sipas neneve 6, 8 dhe 10 të Konventës. Këto raste janë gjithnjë e më të famshme dhe politikisht delikate. Shumë prej tyre do të diskutohen gjatë Forumit.
Në shumë fjalime të mia si Kryetar i Gjykatës kam përmendur marrëdhënien e ndërthurur mes shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së gjyqësorit.
Me rastin e fjalës sime sot, do të doja ta shihja çështjen nga një kënd tjetër, në përpjekje për të kuptuar përse po sulmohet gjyqësori. Së dyti, do të bëj disa sugjerime konkrete në lidhje me kundërstrategjitë për kapërcimin e këtyre sfidave.
Shteti i së Drejtës nën trysni
Gjatë një simpoziumi online të organizuar nga Diritti Comparati në prill të këtij viti, pas artikullit tim “Shteti i së Drejtës si Ylli Ndriçues i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut: Gjykata e Strasburgut dhe Pavarësia e Gjyqësorit”, në pjesën hyrëse theksohej prerë: “Shteti i së Drejtës në Evropë ndodhet nën trysni”.
Si gurthemel i shtetit të së drejtës, vetë pavarësia e gjyqësorit është vënë në shënjestër të disa demokracive joliberale.
Përse po ndodhin sulme të tilla kundër pavarësisë së gjyqësorit?
Siç e dimë të gjithë, gjyqësori është një nga tri pushtetet e çdo shteti demokratik. Një gjyqësor efikas, i paanshëm dhe i pavarur është jetik për një sistem demokratik kontrolli dhe bilanci.
Roli i gjyqësorit ka avancuar dekadat e fundit me rritjen e numrit të çështjeve të ngritura para gjykatave dhe me gjyqtarët të cilëve u kërkohet të vendosin mbi çështje të rëndësisë politike, sociale dhe ekonomike. Mund të thuhet se sistemi i drejtësisë tani pritet të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në shoqëri. Njëkohësisht, fuqitë dhe veprimet legjislative po sfidohen vazhdimisht nga publiku. Për pasojë, gjyqësorit po i duhet të shqyrtojë veprimet e dy pushteteve të tjera shtetërore.
Po të marrim shembullin e pandemisë, gjatë 18 muajve të fundit në gjykatat vendase janë ngritur shumë konteste ndaj veprimeve të ekzekutivit. Pandemia ka sjellë kufizime të konsiderueshme jo vetëm për të drejtat tona civile dhe politike, por edhe ato ekonomike, sociale dhe kulturore. Në mënyrë të veçantë janë prekur grupet e cenueshme. Gjyqtarët vendas kanë pasur detyrën e vështirë që të sigurojnë se emergjenca e shëndetit publik nuk është shfrytëzuar nga ekzekutivi si pretekst për shkeljen e të drejtave të njeriut. Është i vështirë ekuilibri që duhet vënë mes garantimit të sigurisë publike, nga njëra anë, dhe gëzimit të të drejtave dhe lirive themelore, nga ana tjetër.
Jo të gjitha vendimet e marra nga gjykatat vlerësohen nga qeveritë, dhe tundimi për të folur publikisht kundër vendimeve jo të pëlqyera mund të jetë i madh. Do të shohim se ku takohet pavarësia gjyqësore me pandeminë.
Në qoftë se kontekstualizojmë rolin e gjykatave me pikënisjen e qeverive populiste, vërejmë se krijohet njëfarë tensioni i mundshëm. Qeveritë populiste mund të tregohen të padurueshme me kontrollin dhe bilancin institucional që zhvillon gjyqësori. Për pasojë, mund të lindë tundimi për të dobësuar ose zëvendësuar elementet e pavarura të qeverisë, siç janë institucionet e gjyqësorit ose Ombudspersonit. Gjyqtarët mund të vihen në shënjestër nga politikanët ose media qoftë për mënyrën se si bëjnë politikë apo për shfrytëzimin e rolit të tyre. Për të gjetur shembuj të tillë nuk kemi nevojë të shkojmë shumë larg, madje disa i shohim në demokracitë tona më të zhvilluara.
Gjykatat kushtetuese janë posaçërisht të ndjeshme ndaj sulmeve. Përse? Sepse, kur ato dobësohen, vetë institucioni që është ngritur pikërisht për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të të drejtave kushtetuese nuk është më në gjendje të përmbushë funksionin e vet themelor.
Strukturat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, siç janë gjykatat ndërkombëtare, janë po ashtu të ndjeshme ndaj sulmeve për të njëjtat arsye. Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut mund të perceptohet nga disa qeveri si e tillë që ndërhyn në objektiva të veçanta qeveritare, për shembull në trajtimin e ashpër të kriminelëve ose në reduktimin e migracionit. Kështu, traktatet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut paraqiten nga këto qeveri populiste si të tilla që pengojnë sovranitetin kombëtar.
Strategjitë për forcimin e pavarësisë
Pra kjo është diagnoza ime; por a ka shërim?
Mund të ndihemi të pafuqishëm para sulmeve ndaj gjyqësorit sepse zgjidhja – respektimi i ndarjes së pushteteve – duket se ndodhet tërësisht në duart e ekzekutivit.
Megjithatë, dua të theksoj disa prej strategjive potenciale me të cilat mund të ndihmohet forcimi i pavarësisë gjyqësore.
Pika ime e parë vjen nga Forumi Gjyqësor Online, organizuar nga Qendra AIRE në Bosnje dhe Hercegovinë para pak muajsh. Në fjalën e mbajtur atje, theksova nevojën për të promovuar të kuptuarit më të thellë të punës së gjyqtarëve brenda demokracive tona.
Gjykatat mund të përpiqen, në mënyrë proaktive, që t’i japin formë ambientit të jashtëm i cili pranon vendimet e tyre. Kjo mund të marrë formën e vetëdijesimit të shtuar publik rreth rëndësisë së vendimeve të gjykatave, përmes kumtesave për shtyp ose në media sociale. Aktivitetet për shtrirjen e informacionit, siç janë vizitat në gjykata, mund të shtojnë legjitimitetin dhe influencën. Po ashtu, informacioni i komunikuar direkt nga gjykatat mund të ndihmojë që t’u bëhet ballë informatave të rreme të shpërndara nga populistët. Është e rëndësisë themelore të sigurohet që publiku ta kuptojë arsyen përse gjykatat e pavarura janë kaq thelbësore në demokraci.
Së dyti, vetë gjyqtarët mund të flasin, në mënyrë proporcionale, kundër reformave të qeverisë. Në lidhje me çështjen e lirisë së shprehjes së gjyqtarëve, në Baka k. Hungarisë [GC] Gjykata deklaroi se “çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e sistemit të drejtësisë hyjnë brenda sferës së interesit publik, debat i cili zakonisht gëzon një shkallë të lartë mbrojtjeje nga neni 10. Edhe kur një çështje që debatohet ka implikime politike, kjo në vetvete nuk mjafton për ta ndaluar gjyqtarin nga deklarimi në lidhje me atë temë. Çështjet që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve mund të përfshijnë shumë aspekte të rëndësishme në një shoqëri demokratike ku publiku ka interes legjitim për të qenë i informuar dhe të cilat hyjnë brenda sferës së debatit politik.”
Pika ime e tretë ka të bëjë me etikën gjyqësore. Pavarësia dhe integriteti janë dy anë të së njëjtës medalje. Kur gjyqtarët nuk iu përmbahen standardeve të larta të integritetit që priten prej tyre, mosbesimi publik është i kuptueshëm. Prandaj parimet etike të sjelljes profesionale kanë rëndësi jetike. Vetë Gjykata kohët e fundit ka përditësuar Rezolutën e saj mbi Etikën Gjyqësore nga viti 2008, në mënyrë që t’u përgjigjet sfidave të reja të shekullit të 21-të siç është prania e gjyqtarëve në media sociale.
Pika ime e katërt merr ndikim nga puna e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë të Këshillit të Evropës, dhe në mënyrë të veçantë Opinioni Nr. 23 (2020) mbi rolin e organizatave të gjyqtarëve në mbështetjen e pavarësisë gjyqësore. Në këtë Opinion, KKGjE u bën thirrje Shteteve anëtare që të ofrojnë një kornizë brenda së cilës të mund të ushtrohen efektivisht të drejtat e gjyqtarëve për organizim. Një prej objektivave më të rëndësishme të organizatave të gjyqtarëve është vënia në vend dhe mbrojtja e pavarësisë së gjyqtarëve, ruajtja e statusit të tyre, përpjekjet për të siguruar kushtet e përshtatshme të punës për ta, si dhe fuqizimi dhe avancimi i shtetit të së drejtës.
Pika ime e pestë dhe përfundimtare ka të bëjë me trajnimin gjyqësor. Gjyqtarët të cilët kanë marrë trajnim të shkëlqyer rreth parimeve të Konventës dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës janë më të përgatitur për të reaguar ndaj sulmeve mbi pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre. Kjo është arsyeja pse Gjykata dhe Sekretaria e saj bashkëpunojnë me programin HELP të Këshillit të Evropës i cili ofron materiale trajnuese mbi të drejtën evropiane të të drejtave të njeriut, ku shpesh vendosen standarde jo vetëm të Konventës Evropiane por edhe të Kartës së BE-së për të drejtat themelore. Kjo është e rëndësishme sepse, siç jam shprehur edhe më përpara, mes Gjykatës së Strasburgut dhe asaj të Luksemburgut ekziston një marrëdhënie simbiotike sa i përket shtetit të së drejtës. Rëndësia e këtij trajnimi është edhe arsyeja pse Rrjeti i Gjykatave Supreme, i ngritur nga Gjykata para gjashtë vitesh, ofron seminare në lidhje me aspektet substanciale të praktikës gjyqësore të Gjykatës.
Përfundime
Shteti i së Drejtës nuk është vetëm një sërë të drejtash procedurale. Është njëri prej themeleve të një demokracie efektive dhe kuptimplote, në thelb të vlerave esenciale të Këshillit të Evropës dhe Gjykatës Evropiane.
Roli themelor i gjyqësorit në demokraci është të garantojë vetë ekzistencën e Shtetit të së Drejtës, duke siguruar kështu zbatimin e duhur të ligjit në mënyrë të paanshme, të drejtë, dhe efikase.
Gjyqësori po ashtu luan rol kyç në vetë sistemin e Konventës, duke vepruar si një prej partnerëve tanë të pajtueshmërisë, në zbatim të Konventës Evropiane si gjyqtar i Strasburgut në shkallën e parë. Sistemi i Konventës ka nevojë për një komunitet të fortë dhe të pavarur gjyqtarësh të të drejtave të njeriut.
Pjesën e dytë të fjalës sime jam përpjekur ta fokusoj tek reagimet e mundshme sepse, ndërkohë që situata në Evropë është tejet shqetësuese, nuk jemi të pafuqishëm kur vjen puna tek reagimi.
Me shumë dëshirë pres të dëgjoj fjalimet nga folësit e tjerë dhe diskutimet nesër në lidhje me mënyrat se si të shkohet përpara.
Ju faleminderit shumë.