Serbia do të paditet nga komuniteti rom para Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut

Përfaqësues të komuniteti rom të Serbisë do ta padisin shtetin serb përpara Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut pasi që Gjykata e Apelit e Serbisë i ka shpallur të pafajshëm pjesëtarët e grupit paramilitar për vrasjen e 27 civilëve romë në vitin 1992 (rasti Çetnikët e Simës).

Pjesëtarët e grupit paramilitar akuzoheshin se kishin vrarë 27 civilë romë në Skocic, afër Zvornikut, se i kishin hedhur në një shpellë dhe i kishin gjuajtur me një granatë dore. Një civil tjetër ishte vrarë në oborr të fshatit. Tre gra rome ishin dhunuar në mënyrë të përsëritur duke u mbajtur nën arrest shtëpiak në një fshat të afërt në Malesic, mes muajve qershor dhe dhjetor 1992.

Më 25 qershor, Gjykata e Apelit në Beograd konfirmoi pafajësinë e gjashtë ish-pjesëtarëve të njësisë paramilitare Çetnikët e Simës, duke i liruar nga vrasja e 27 civilëve romë në fshatin Skocic në Bosnjë, në korrik 1992. Megjithatë, tre nga ish-paramilitarët u dënuan për trajtim çnjerëzor, cënim të integritetit fizik, poshtërim seksual dhe dhunim. Njësia Çetnikët e Simës ekzistoi për një kohë të gjatë ndërsa pjesëtarët e tij kryen shumë krime.

Këshilli Nacional i Romëve, trup kushtetues që përfaqëson romët e këtij shteti, si dhe OJQ-ja Qendra Rome për Strategji, Zhvillim dhe Demokraci, thanë se do ta padisin Serbinë përpara Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg për shkak të vendimit lirues për 6 paramilitarë që akuzoheshin për vrasjen e 27 civilëve romë në vitin 1992. Ata thanë se Serbia “kishte toleruar krime të rënda nga qytetarët e painformuar të Serbisë të cilëve u dha armë APJ-ja e dikurshme, Armata e Republikës Srpska si dhe MPB-ja serbe (Ministria e Punëve të Brendshme)”.

Agjencia e lajmeve Beta raportoi se ata i kishin dërguar një letër të hapur Presidentit të Serbisë, Kryeministres, Ministrit të Drejtësisë, si dhe OSBE-së dhe disa organizatave të tjera ndërkombëtare me të cilën i njoftonin për padinë ndaj shtetit serb.

Në letrën e hapur, Këshilli Nacional i Romëve dhe Qendra Rome për Strategji, Zhvillim dhe Demokraci thanë se vendimi ishte “skandaloz dhe i ka poshtëruar të gjithë romët, veçanërisht ata që i mbijetuan masakrës dhe erdhën për të dëshmuar”. Ata shtuan se verdikti do të ketë ndikim të madh mbi qëndrimin e romëve ndaj shtetit dhe do t’i shtojë tensionet dhe distancën ndërmjet serbëve dhe romëve.

Referencat nga faqja e Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan

http://www.balkaninsight.com/en/article/the-appellate-court-strengthening-conditions-for-proving-war-crimes-hlc-07-04-2018

http://www.balkaninsight.com/en/article/serbian-roma-to-sue-state-in-strasburg-of-war-crime-tolerance–07-05-2018