14 Kor Shkarkimi i një punëtori të sektorit publik për pëlqimin e postimeve në Facebook çoi në shkelje të Konventës
Në rastin Melike kundër Turqisë (kërkesa nr. 35786/19, 15.06.2021) 10 Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 10 (liria e shprehjes) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti kishte të bënte me shkarkimin e znj Melike, punëtore me kontratë në Ministrinë e Arsimit, për pëlqimin e disa artikujve në Facebook (të postuara në faqen e rrjeteve sociale nga një palë e tretë). Autoritetet konsideruan se postimet në fjalë kishte të ngjarë të prishnin paqen dhe qetësinë në vendin e punës, me arsyetimin se ato pretendonin se mësuesit kishin kryer përdhunime, përmbanin akuza kundër udhëheqësve politikë dhe kishin lidhje me partitë politike.
Gjykata vuri në dukje se përmbajtja në fjalë përbëhej nga kritika politike të praktikave të pretenduara shtypëse nga autoritetet, thirrje dhe inkurajim për të protestuar kundër atyre praktikave, shprehje të indinjatës në lidhje me vrasjen e kryetarit të një shoqate avokatësh, denoncime të pretenduara të abuzimit të nxënësve në institucionet e kontrolluara nga autoritetet dhe një reagim i mprehtë ndaj një deklarate, të perceptuar si seksiste, të bërë nga një figurë e njohur fetare. Gjykata konsideroi se këto ishin thelbësisht dhe pa diskutim çështje të interesit të përgjithshëm. Ajo përsëriti se kishte pak hapësirë në bazë të Nenit 10 § 2 të Konventës për kufizimet në lirinë e shprehjes në dy fusha: fjalimet politike dhe çështjet me interes publik.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se komiteti disiplinor dhe gjykatat vendore nuk kishin marrë parasysh të gjitha faktet dhe faktorët përkatës për të arritur në përfundimin e tyre se veprimet e kërkueses ishin të tilla që prishnin paqen dhe qetësinë në vendin e saj të punës. Në veçanti, autoritetet vendore nuk kishin kërkuar të vlerësonin potencialin e “pëlqimeve” përkatëse për të shkaktuar reagim negativ në vendin e punës të znj Melike, duke pasur parasysh përmbajtjen e materialit me të cilin ato lidheshin, kontekstin profesional dhe shoqëror në të cilin ato u bënë dhe qëllimi dhe ndikimi i tyre i mundshëm.
Së këndejmi, arsyet e dhëna në rastin në fjalë për të justifikuar shkarkimin e kërkueses nuk mund të konsiderohen si të rëndësishme dhe të mjaftueshme. Gjykata gjithashtu vendosi se ndëshkimi i vendosur për znj Melike (ndërprerja e menjëhershme e kontratës së saj të punës pa të drejtë për kompensim) kishte qenë jashtëzakonisht i ashpër, veçanërisht për shkak të kohëzgjatjes së kërkueses në postin e saj dhe moshës së saj. Në fund, Gjykata arriti në përfundimin se, duke pasur parasysh dështimin e tyre për të siguruar arsye përkatëse dhe të mjaftueshme për të justifikuar masën e kundërshtuar, gjykatat vendore nuk kishin zbatuar standarde që ishin në përputhje me parimet e parashikuara në Nenin 10 të Konventës. Gjithsesi, nuk kishte pasur raport të arsyeshëm të proporcionalitetit midis ndërhyrjes në të drejtën e znj Melike për lirinë e shprehjes dhe qëllimit legjitim të ndjekur nga autoritetet vendore.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut