Shkelja e aspektit procedural të Nenit 2 për shkak të kohëzgjatjes së procedurave kombëtare të kompensimit

Në rastin e Fernandes de Oliveira kundër Portugalisë (kërkesa nr. 78103/14, 31/01/2019) Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se:

  • Nuk ka pasur shkelje të aspektit substancial të Nenit 2 (e drejta e jetës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me masat për mbrojtjen e jetës së pacientit psikiatrik i cili kreu vetëvrasje, dhe
  • Ka pasur shkelje të aspektit procedural të Nenit 2 të Konventës Evropiane për shkak të zgjatjes së procedurave kombëtare të kompensimit.

Rasti kishte të bënte me vetëvrasjen e djalit të kërkueses, ndërsa ai ishte pacient vullnetar në një spital psikiatrik, si dhe me procedurat civile për dëmet të cilat kërkuesja, nëna e tij, i ndoqi pas vdekjes së tij.

Djali i kërkueses u pranua në mënyrë të përsëritur në spitalin psikiatrik të Sobral Cid në Coimbra për disa vite me radhë. Më 2 prill 2000 ai u pranua si pacient vullnetar në po këtë institucion pasi kishte tentuar të bënte vetëvrasje. Më 27 prill 2000 ai u largua nga spitali pa njoftuar autoritetet spitalore dhe bëri vetëvrasje duke u hedhur para një treni. Në mars të vitit 2003 kërkuesja paraqiti padi civile ndaj spitalit për të kërkuar dëmshpërblim, duke pretenduar se djali i saj duhet të kishte qenë nën mbikëqyrje mjekësore dhe se stafi i spitalit duhet ta kishte penguar të largohej.

Gjykata gjeti se korniza rregulluese për kujdesin e djalit të kërkueses ishte në përputhje me kërkesat e Konventës për mbrojtjen e pacientëve sipas Nenit 2. Shtetet kanë për detyrë të marrin masa parandaluese operative për të mbrojtur individët nga të tjerët dhe nga vetvetja. Në rastet e mëparshme, Gjykata nuk kishte deklaruar në mënyrë eksplicite se këtë detyrë e kishin edhe spitalet vullnetare psikiatrike edhe ato jovullnetare, por tani deklaroi se ajo zbatohej për të dy kategoritë e pacientëve.

Në këtë rast, autoritetet kishin siguruar masa të mjaftueshme mbrojtëse, duke pasur parasysh mungesën e një rreziku të qartë dhe të menjëhershëm të vetëvrasjes. Megjithatë, Qeveria nuk kishte dhënë arsye bindëse për kohëzgjatjen e procedurave kombëtare të kompensimit, më shumë se 11 vjet, dhe rrjedhimisht kishte pasur shkelje të aspektit procedural të kësaj dispozite të Konventës.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut