Shkelja e Konventës për mosrespektimin e kërkesës së parashtruesit për të mbajtur kontakte me mbesën e tij

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta e respektimit të jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Bogonosovy kundër Rusisë (parashtresa nr. 38201/16, 05.03.2019).

Rasti kishte të bënte me gjyshërit Vera Vladimirovna Bogonosova dhe Georgiy Ivanovich Bogonosov (znj. Bogonosova vdiq në gusht 2018) të cilët dëshironin të mbanin lidhje me mbesën e tyre pas adoptimit të saj. Kur vajza e parashtruesve vdiq, mbesa e tyre, M., u adoptua nga të afërmit e parashtruesve, të cilët e ndihmuan parashtruesve të kujdeset për M.

Pas ballafaqimit me problemet e mbajtjes së lidhjeve pas adoptimit të mbesës së tyre, parashtruesit u ankuan kundër aktgjykimit të adoptimit. Gjykata e Qytetit të Shën Petersburgut e konfirmoi adoptimin në maj të vitit 2015, duke deklaruar se ligji nuk kërkonte që të afërmit, siç janë gjyshërit, të njoftoheshin ose të përfshiheshin në adoptim. Nga ana tjetër, sipas nenit 67 të Kodit të Familjes, ata kishin të drejtë të mbanin lidhje me fëmijën dhe mund të kërkonin urdhër të gjykatës nëse prindërit adoptues e pengonin këtë kontakt. Megjithatë, kur parashtruesi bëri një kërkesë të tillë, Gjykata e Qarkut e ndërpreu procedurën. Ajo gjeti se procesi i adoptimit fillestar nuk kishte treguar se ai do të vazhdonte të kishte lidhje familjare me fëmijën dhe prandaj nuk kishte të drejtë të kërkonte një urdhër kundër prindërve adoptues për të lejuar kontaktin. Në rastin e znj. Bogonosova, gjykata e shkallës së parë urdhëroi që ajo të lejohej të kishte kontakte, por kërkesa u kthye mbrapsht në apel nga prindërit adoptues. Gjykata e apelit deklaroi se as ligji civil, as familjar nuk i jepte znj. Bogonosova të drejtën të kërkonte urdhër për mbajtje të kontakt pas adoptimit.

Gjykata vendosi se nuk do të vazhdonte me kërkesën e znj. Bogonosova, pasi asnjë trashëgimtar ose i afërm i ngushtë nuk do të donte ta ndiqte kërkesën pas vdekjes së saj.

Gjykata gjeti se gjykatat vendore duhet të kishin vlerësuar kërkesën për mbajtjen e një lidhjeje pas adoptimit, por ato e kishin interpretuar dhe zbatuar ligjin në një mënyrë që u kishte mohuar atyre një ekzaminim të tillë. Andaj ata kësisoji e kishin përjashtuar z. Bogonosova krejtësisht dhe automatikisht nga jeta e mbesës së tij, dhe të drejtat e tij ishin shkelur.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut