Shkelja e Konventës për shkak të pamundësisë së ndryshimit të gjinisë dhe emrit për arsye krejtësisht formale

Në rastin Rana kundër Hungari (kërkesa nr. 40888/17) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. 

Kërkuesja është femër e lindur në Iran por që nga mosha e hershme është identifikuar si mashkull. Në vitin 2015 ai aplikoi për azil në Hungari dhe në dhjetor të atij viti autoritetet e azilit miratuan kërkesën e tij, duke gjetur se ai kishte pësuar persekutim në Iran për shkak të identitetit të tij gjinor (seksualiteti trans). Por, ai nuk mund të ndryshonte ligjërisht gjininë dhe emrin e tij në atë vend. 

Gjykata nuk vuri në dyshim zgjedhjen e autoriteteve hungareze për të rregulluar njohjen ligjore të një ndryshimi gjinor si një lloj i veçantë i procedurës së ndryshimit të emrit, të kryer nga një regjistrues që mban regjistrin e lindjeve. Por, në balancimin e interesave konkurruese në fjalë, Shtetet kishin diskrecion të kufizuar (“margjina e vlerësimit”) kur bëhej fjalë për një aspekt thelbësor të identitetit intim të individëve, siç ishte identiteti gjinor në rastin e kërkuesit.

Gjykata vuri në dukje konstatimin e Gjykatës Kushtetuese të një boshllëku legjislativ, i cili i përjashtonte të gjithë johungarezët që jetojnë në mënyrë të ligjshme nga qasja në ndryshimin e emrit dhe procedurën e njohjes së gjinisë pavarësisht rrethanave të tyre, si një kufizim joproporcional i të drejtës së tyre për dinjitetin njerëzor.

Autoritetet kishin refuzuar aplikacionin e kërkuesit për arsye thjesht formale, pa shqyrtuar situatën e tij, duke mos peshuar kështu interesat konkurruese në fjalë. Në veçanti, ata nuk kishin marrë parasysh faktin se atij i ishte dhënë azil pikërisht sepse ishte përndjekur në vendin e tij të origjinës për shkak të transgjinorizmit të tij. Gjykata konsideroi se nuk mund të pritej në mënyrë të arsyeshme që ai të kërkonte njohjen e ndryshimit të tij gjinor në Iran.

Gjykata vërejti se sigurimi i qasjes në një procedurë për njohjen ligjore të gjinisë për njerëzit pa certifikata hungareze të lindjes, së bashku me një shqyrtim të pretendimeve të tyre mbi meritat, mund të jetë barrë shtesë administrative për autoritetet. Por, kjo nuk mund të justifikonte vetvetiu një refuzim të pakushtëzuar të kërkesës së kërkuesit. Për më tepër, detyrimi pozitiv i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese ishte relativisht i ngushtë dhe ndikimi i mundshëm mbi shtetin nuk dukej të ishte i fortë.

Gjykata arriti në përfundimin se nuk ishte arritur ekuilibër i drejtë midis interesit publik dhe të drejtës së kërkuesit për të respektuar jetën e tij private për shkak të refuzimit për t’i dhënë atij qasje në procedurën ligjore të njohjes së gjinisë. 

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut