Vendbanimet rome kishin qasje të duhur në ujin e pijshëm

Në rastin Hudorovič dhe të tjerët kundër Sllovenisë (kërkesat nr. 24816/14 dhe 25140/14, 10.03.2020) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vlerësoi se:

  • nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut sa i përket kërkuesve në kërkesën nr. 24816/14
  • nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës Europiane sa i përket kërkuesve në kërkesën nr. 25140/14
  • nuk ka pasur shkelje të Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit) bashkë me Nenin 8, dhe nuk ka pasur shkelje të Nenit 3 (ndalimi i torturës ose trajtimit çnjerëzor ose degradues) veçmas apo bashkë me Nenin 14. 

Rasti kishte të bënte me kërkesat e kërkuesve, të cilët janë të gjithë shtetas sllovenë me origjinë rome, për një mungesë të pretenduar të qasjes në ujë të pijshëm dhe kanalizime, duke marrë parasysh stilin e jetës dhe statusin e tyre. Vendbanimi i kërkuesve përbëhet kryesisht nga kasolle druri pa instalime uji apo kanalizime.

Gjykata vuri në dukje se qasja në ujë të pijshëm të sigurtë nuk ishte, si e tillë, e mbrojtur nga Neni 8, megjithatë, uji ishte i domosdoshëm për mbijetesën njerëzore dhe mungesa e vazhdueshme dhe e qëndrueshme për një kohë të gjatë mund të ketë pasoja të dëmshme për shëndetin dhe dinjitetin njerëzor, duke cënuar në mënyrë efektive thelbin e jetës private dhe gëzimin e një shtëpie. Prandaj Gjykata nuk ishte në gjendje të përjashtonte që një pretendim bindës i kushteve të tilla të rrepta mund të nxiste detyrimet pozitive të Shtetit sipas Nenit 8.

Gjykata konsideroi se autoritetet e kishin ditur situatën e kërkuesve dhe, përmes sistemit të tyre të përfitimeve sociale, kishin siguruar që atyre t’u garantohej një nivel i caktuar themelor i jetesës, i cili ishte, ose mund të ishte përdorur, ndër të tjera, për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës. Për më tepër, autoritetet komunale kishin ndërmarrë disa hapa konkretë për të siguruar që kërkuesit të kishin qasje në ujë të pijshëm të sigurtë. Gjykata pranoi se një ose disa rezervuarë uji ishin instaluar në vendbanimin e parë të kërkuesve ndërmjet viteve 1999 dhe 2016, të cilat ishin furnizuar me ujë sipas kërkesës. Duke vënë në dukje dallimet në rrëfimet e palëve për atë që kishte ndodhur me rezervuarin e ujit të bashkëfinancuar dhe pretendimet e pabazuara nga kërkuesit për cilësinë e ujit dhe rregullsinë e dërgesave, Gjykata konkludoi se marrëveshja u kishte siguruar kërkuesve nga vendbanimi Goriča vas mundësinë e qasjes në ujë të pijshëm të sigurtë. 

Përfundimi ishte i njëjtë sa i përket zgjidhjes së gjetur për vendbanimin e dytë të kërkuesve.

Ndërsa masa të tilla mund të konsiderohen më shumë të përkohshme sesa zgjidhje të përhershme, Gjykata konstatoi se ato masa pozitive u kishin ofruar kërkuesve mundësinë për t’iu qasur ujit të pijshëm të sigurtë.

Për më tepër, duke pasur parasysh natyrën graduale të zhvillimit të infrastrukturës publike dhe diskrecionin e gjerë të Shtetit në prioritizimin e burimeve për planifikimin urban, Gjykata konsideroi se vetëm arsyet veçanërisht bindëse, siç është ndonjë rrezik serioz për shëndetin, mund të justifikojnë imponimin e një ngarkese për Shtetin për të ndërmarrë ndonjë hap në lidhje me situatat përkatëse të kërkuesve. Sidoqoftë, kërkuesit nuk kishin ofruar mbështetje për ndonjë pretendim në lidhje me këtë, ose nuk kishin argumentuat se ata ishin të penguar të instalonin depozita septike ose të gjenin alternativa të tjera për kanalizimet publike.

Kështu, Gjyjata gjeti se masat e miratuara nga Shteti për të siguruar qasjen e tyre në ujë të pijshëm të pastër dhe kanalizime, kishin marrë parasysh pozicionin e tyre të cenueshëm dhe kishin përmbushur kërkesat e Nenit 8 të Konventës. Edhe duke supozuar se Neni 8 ishte i zbatueshëm për rastin, nuk kishte asnjë shkelje të asaj dispozite. Gjykata, me pesë vota pro dhe dy kundër, e konsideroi të panevojshme të vendoste për çështjen e zbatueshmërisë së Nenit 8. Gjykata tutje vendosi, me pesë vota pro dhe dy kundër, se nuk kishte nevojë të vendoste për zbatueshmërinë e Nenit 14. Gjykata gjithashtu konsideroi se edhe duke supozuar se Neni 14 ishte i aplikueshëm , nuk kishte asnjë shkelje të kësaj dispozite në lidhje me Nenin 8.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut