25 Dhj Vendimi për të dëbuar gazetarët për shkak të sjelljes së tyre të papërgjegjshme
Në rastin Zarubin dhe të tjerët kundër Lituanisë (kërkesat nr. 69111/17, 69112/17, 69113/17 dhe 69114/17) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut me shumicë votash kërkesat i ka shpallur të papranueshme.
Ështja kishte të bënte me dëbimin nga Lituania dhe ndalimin e rihyrjes së katër gazetarëve rusë që punojnë për transmetuesin shtetëror rus Rossiya-24 pas veprimeve të tyre në një konferencë në Vilnius në mars të vitit 2016. Konferenca, e bashkëorganizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Lituanisë, trajtoi çështje të ndryshme rreth Rusisë dhe përfshiu aktivistë të opozitës ruse. Autoritetet vendore kishin vërtetuar se kërkuesit kishin shkaktuar incidente dhe përçarje. Në veçanti, atyre u ishte caktuar një detyrë nga punëdhënësi i tyre për të mbledhur informacione rreth aktivistëve të shquar të opozitës politike ruse që po merrnin pjesë në Forum; ata nuk kishin marrë dhe as nuk kishin provuar të marrin akreditim, por kishin siguruar hyrjen në ngjarje me mashtrim dhe kishin provokuar konfrontime me rojet e sigurimit dhe pjesëmarrësit. Pavarësisht se ishin paralajmëruar nga policia, ata të nesërmen u përpoqën të filmonin pjesëmarrësit me një telefon celular, dhe kishte informacione se ata me sa duket kishin planifikuar të shkaktonin një konfrontim tjetër në ditën e fundit të Forumit.
Departamenti i Migrimit nxori vendime për dëbimin e kërkuesve dhe ndalimin e rihyrjes së tyre për një vit. Vendimet citonin informacione nga Departamenti i Sigurisë së Shtetit të Lituanisë se këta persona, përfaqësuesit e kanalit televiziv Rossiya-24, mund të paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare. Aty gjithashtu përmendeshin “sulmet” e tyre gjatë Forumit, siç ishin raportuar nga mediat lokale dhe ishin regjistruar nga policia.
Gjykata ishte e gatshme të pranonte se masat ndaj parashtruesve të kërkesës kishin ndërhyrë në të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes sipas Nenit 10. Por, ajo vendosi se autoritetet kishin dëshmuar se masat ishin të nevojshme në interes të sigurisë kombëtare, dhe ishin proporcionale.
Nuk kishte asgjë në dosjen e rastit për të sugjeruar se gjykatat kishin gabuar në vlerësimin e tyre ose se e kishin zbatuar ligjin në mënyrë arbitrare, kështu që Gjykata nuk pa arsye për të mos u pajtuar me përfundimin e tyre se dëbimi dhe ndalimi i hyrjes kishte qenë i domosdoshëm në interes të sigurisë kombëtare. Autoritetet kishin vepruar gjithashtu në mënyrë proporcionale: kërkuesve nuk u ishte ndaluar të jepnin deklarata ose të shpërndanin deklarata për Forumin, përkundrazi, ata ishin dëbuar dhe u ishte ndaluar rihyrja për shkak të veprimeve agresive dhe provokuese.
Në fund, Gjykata përsëriti se mbrojtja që Neni 10 u jepte gazetarëve i nënshtrohej kushteve që ata të veprojnë me mirëbesim, që të siguronjnë informacione të sakta dhe të besueshme, në përputhje me parimet e gazetarisë përgjegjëse. Kjo nuk ishte e kufizuar në përmbajtje, por gjithashtu kishte të bënte me sjelljen e një gazetari. Në këtë rast, Gjykata nuk mund të pranonte se sjellja e kërkuesve ishte në përputhje me konceptin e gazetarisë së përgjegjshme. Andaj, ankesa ishte qartazi e pabazuar dhe duhej të refuzohej si e papranueshme.
Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut