Vendosja automatike e mbiemrit të babait në rendin e mbiemrit të fëmijës është diskriminuese

Në rastin León Madrid kundër Spanjës (kërkesa nr. 30306/13, 26.10.2021) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi njëzëri se ka pasur shkelje të Nenit 14 (ndalimi i diskriminimit) në lidhje me Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti kishte të bënte me kërkesën e kërkueses për të ndryshuar rendin e mbiemrave me të cilët ishte regjistruar vajza e saj e mitur (e lindur në vitin 2005).
Në kohën në fjalë, ligji spanjoll (Neni 194 i Rregullores për zbatimin e ligjit për regjistrimin e lindjeve, martesave dhe vdekjeve) parashikonte që në rast mosmarrëveshjeje midis prindërve, fëmija do të mbante mbiemrin e babait të ndjekur nga mbiemri i nënës. Kërkuesja argumentoi se kjo rregullore ishte diskriminuese.

Gjykata vuri në dukje se Neni 194 i Rregullores ishte ndryshuar me Ligjin nr. 20/2011, i cili parashikonte se në rast mosmarrëveshjeje midis prindërve do t’i takonte “gjyqtarit të gjendjes civile” të vendoste për renditjen e mbiemrave të fëmijës, duke marrë parasysh interesin më të madh të fëmijës si konsideratë parësore. Megjithatë, këto dispozita të reja nuk ishin të zbatueshme për vajzën e kërkueses, e cila tani ishte 16 vjeçe. Zbatimi automatik i legjislacionit të mëparshëm nuk e kishte lejuar gjyqtarin të merrte në konsideratë ankesat e kërkueses bazuar në rrethanat konkrete të çështjes; për shembull, këmbëngulja fillestare e J.S.T.S. që ajo të ndërpresë shtatzëninë, ose fakti që fëmija mbante dy mbiemrat e nënës që në momentin e lindjes dhe për më shumë se një vit, duke mos u njohur fillimisht nga babai. Gjykata vuri në dukje se dy individë në një situatë të ngjashme – kërkuesja dhe babai i fëmijës – ishin trajtuar ndryshe dhe se dallimi bazohej ekskluzivisht në bazë të seksit. 

Kjo natyrë automatike e zbatimit të ligjit në kohën në fjalë – gjë që i kishte penguar gjykatat vendore të merrnin parasysh rrethanat e veçanta të rastit në fjalë –, sipas mendimit të Gjykatës, nuk mund të justifikohej në mënyrë të vlefshme sipas Konventës.

Ndërsa rregulli që mbiemri i babait duhet të vinte i pari, në rastet kur prindërit nuk ishin dakord, mund të rezultonte i nevojshëm në praktikë dhe nuk ishte domosdoshmërisht i papajtueshëm me Konventën, pamundësia për të marrë një derogim kishte qenë tepër e rreptë dhe diskriminuese ndaj grave.

Për më tepër, edhe pse vendosja e mbiemrit të babait mund t’i shërbente qëllimit të sigurisë juridike, po ky qëllim mund të arrihej duke pasur mbiemrin e nënës në atë pozicion.

Andaj, arsyet e dhëna nga Qeveria nuk kishin qenë mjaft objektive dhe të arsyeshme për të justifikuar ndryshimin në trajtimin e vendosur ndaj kërkueses.

Referencat nga faqja zyrtare e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut