Zbatimi i Konventës së Hagës për Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijëve

Në rastin Andersena kundër Letonisë (kërkesa nr. 79441/17, 19/09/2019) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka gjetur se ka pasur shkelje të Nenit 6 – sa i përket të drejtës së procedurave kundërshtuese dhe barazisë së armëve të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kërkuesja, Kerija Andersena, është shtetase e Letonisë e lindur më 1970 dhe jeton në Riga. Rasti kishte të bënte me urdhërat e gjykatës së Letonisë në procedurat sipas Konventës së Hagës se vajza e kërkueses duhet të kthehej në Norvegji ku jetonte babai i saj. Znj. Andersena ishte martuar me një shtetas norvegjez në vitin 2013 dhe çifti ishte bërë me vajzë po atë vit. Ata jetonin në Norvegji, por marrëdhënia u përkeqësua dhe bashkëshorti u largua nga shtëpia e familjes në vitin 2017. Kërkuesja u kthye në Letoni në korrik të atij viti, duke e marrë vajzën me vete.

Bashkëshorti nisi procedurat për kthimin e fëmijës në Norvegji në bazë të Konventës së Hagës për Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijëve, dhe fitoi urdhërin në këtë drejtim nga gjykatat e Letonisë. Ata vendosën se Norvegjia ishte vendbanimi i fëmijës, se prindërit kishin kujdestari të përbashkët dhe se kërkuesja e kishte marrë fëmijën në Letoni pa pëlqimin e babait.

Duke u mbështetur në Nenin 6 § 1 (e drejta për dëgjim të drejtë) dhe Nenin 8 (e drejta për respektimin e jetës familjare) të Konventës, kërkuesja u ankua se gjykatat e Letonisë nuk i kishin marrë sa duhet parasysh kundërshtimet e saj që fëmija të kthehej në Norvegji dhe se nuk kishin dhënë arsyetime adekuate. Ajo gjithashtu u ankua se procedurat kishin gabime, sidomos meqë ajo nuk kishte marrë pjesë në seancat dëgjimore të shkallës së parë dhe nuk ishte përfaqësuar nga ndonjë përfaqësues i autorizuar; se kërkesa e saj për dëgjim verbal gjatë ankesës së saj (procedura plotësuese) ishte refuzuar; dhe meqë ajo nuk ishte njoftuar për vështrimet e palës tjetër në procedurat e ankesës. 

Gjykata u pajtua me vlerësimin e gjykatave vendore se kërkuesja nuk arriti të formulonte ndonjë rrethanë e cila do të duhej të vlerësohej në një dëgjim verbal dhe prandaj nuk arriti ta bazonte sa duhet kërkesën e saj. Gjykata gjithashtu e merr parasysh faktin se kërkuesja nuk dha arsyetime bindëse për mungesën e saj nga seanca dëgjimore e shkallës së parë. Kështu, vendimi i Gjykatës Rajonale në Riga për të hequr dorë nga dëgjimi verbal nuk mund të shihet si i paarsyeshëm.

Sa i përket kërkesës se ajo nuk ishte njoftuar lidhur me argumentet e palës tjetër, Gjykata gjeti se dështimi për ta njoftuar kërkuesen lidhur me argumentet e babait dhe pamundësia e saj për t’iu përgjigjur këtyre argumenteve nënkuptonte se ajo nuk mund të merrte pjesë në procedurat e Gjykatës në Riga në pajtim me parimin e barazisë së armëve dhe të drejtën e procedurave kundërshtuese. Andaj, në këtë rast ka pasur shkelje të Nenit 6 të Konventës.

Përkundër gjetjeve lidhur me Nenin 6, Gjykata nuk konsideroi se mungesa procedurale në procedurat e Gjykatës në Riga kishte sjellë dështimin për të marrë parasysh interesat legjitime të kërkueses dhe të vajzës së saj. Përpara gjykatës së shkallës së parë, kërkuesja kishte mundësi ta shpalosë rastin e saj përmes një përfaqësuesi të autorizuar, dhe përpara gjykatës së apelit ajo dorëzoi një ankesë plotësuese dhe bëri disa parashtresa shtesë. Të gjitha argumentet të cilat i paraqiti ajo, u morën parasysh në mënyrë adekuate nga gjykatat vendore dhe vendimet e tyre ishin mjaft të arsyeshme. Në bazë të dokumenteve përpara vetes, Gjykata është e kënaqur se gjykatat vendore, brenda marzhit të vlerësimit të tyre, kanë gjetur barazpeshë të duhur ndërmjet interesave kundërshtuese në këtë rast, sidomos duke marrë parasysh se interesat më të mirë të fëmijës duhet të jenë në radhë të parë. Andaj, nuk ka pasur shkelje të Nenit 8 të Konventës.

Referencat nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut